Një paciente në gjendje të rëndë

Janë regjistruar 9 raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut. Me këtë numri i të infektuarve deri në orën 12:00 ka arritur në 85. Sipas një statusi në facebook të Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipche, të prekur nga koronavirusi ka në gjashtë qytete, në Shkup, Dibër, Shtip, Kavadar, Gostivar dhe Ohër.

Ai ka njoftuar se një paciente e shtruar në Klinikën Infektive në Shkup është në fazë kritike, kurse të tjerët janë në gjendje stabile, sikurse dhe të infektuarit që gjenden në mjekim shtëpiak.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Ministrinë për Transport dhe Lidhje do të organizojë fluturime humanitare për kthimin në vend të 2300 shtetasve që kanë mbetur të bllokuar na hapësirat ndërkufitare ose nëpër aeroporte.

“E bëmë një përmbledhje, numri ndryshohet sepse një pjesë e njerëzve arrijnë ndërkohë të kthehen. Flasim për një numër prej 2300 qytetarë të Maqedonisë, në të gjithë botën. Shumica janë në Evropë”, tha Dimitrov.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga sot, vetëm një herë brenda ditës, do të informojë për numrin e të prekurve të rinj nga koronavirusi. Siç njoftohet, një vendim i këtillë është marrë për shkak të rritjes së numrit të rasteve në vend.

Tv Klan