Dominojnë kompanitë e naftës, fasoneritë, ndërtimi dhe universitetet private

86 mijë biznese nuk kanë paguar sigurimet shoqërore të punonjësve të tyre duke i rrezikuar pensionin e pleqërisë, dhe rrezikun për të thelluar më tej defiçitin e kësaj skeme në buxhetin e shtetit.

Në fund të vitit 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se vlera totale e detyrimeve të kontributeve shoqërore arrin në 126 milionë Dollarë, ku 7 milionë është krijuar vetëm gjatë vitit të fundit.

Auditi ka gjetur se 50 kompanitë me debinë më të lartë janë sipërmarrje të mëdha, ku dominon sektori i naftës, fasoneri, biznese ndërtimi, kompani fluturimi, klube futbolli dhe universitete private.

3.3 milionë Dollarë është borxhi që vetëm rafineria e naftës ARMO ka ndaj naftëtarëve për pagesën e sigurimeve, e nëse llogariten edhe gropat që kanë krijuar në këtë skemë kompanitë që kanë patur me qira uzinën, borxhi për pensionet e naftëtarëve arrin në 4 milionë Dollarë.

Në total vetëm kompanitë në fushën e hidrokarbureve rezultojnë me 5.8 milionë Dollarë detyrime për kontributet e punëtorëve.

Fasoneritë kanë një gropë prej 2.2 milionë Dollarësh, bizneset e ndërtimit kanë krijuar një borxh prej 2.2 milionë Dollarësh, universitetet private 1.4 milionë Dollarë dhe linjat e fluturimit rezultojnë me debi prej 850 mijë Dollarësh.

Nga 86 mijë kompani që nuk kanë derdhur kontributet e punonjësve, 39 mijë ose 46% e tyre rezultojnë të jenë ende aktive dhe vazhdojnë të kryjenë aktivitet në treg.

Tv Klan