Një raport i ri në SHBA tregon një hendek të madh të gjendjes emocionale të adoleshentëve dhe sasisë së mbështetjes që pretendojnë prindërit se u japin fëmijëve të tyre.

Teksa kriza e shëndetit mendor te të rinjtë vazhdon të jetë shqetësuese, studimi tregon se të ata shprehen se u mungon mbështetja emocionale.

Sipas raportit vetëm ¼ e fëmijëve thanë se marrin gjithmonë mbështetjen sociale apo emocionale që u nevojitet, ndërsa prindërit kishin një koefiçent tre herë më të lartë, pasi mendonin se jepnin mbështetjen e nevojshme.

Në përgjithësi, 93% e prindërve mendonin se fëmijët e tyre kishin gjithmonë ose zakonisht mbështetjen sociale dhe emocionale për të cilën kishin nevojë, por vetëm rreth 59% e adoleshentëve mendonin se kjo ishte e vërtetë.

Në vend të kësaj, 20% e adoleshentëve thanë se ata rrallë ose kurrë nuk kishin mbështetjen që u duhej, krahasuar me vetëm 3% të prindërve që mendonin të njëjtën gjë.

Studimi bazohet në anketimin e rreth 1200 fëmijëve të moshës nga 12-17 vjeç dhe të prindërve të tyre.

“Raporti shfaq një paragjykim sistematik ku prindërit vazhdimisht raportojnë nivele më të larta të mbështetjes sociale dhe emocionale krahasuar me nevojën e perceptuar të fëmijëve të tyre,” shprehet një prej studiuesve që mori pjesë në raport.

Adoleshentët shpesh herë mendojnë për rolin e tyre në botë, për identitetin dhe shumë pyetje të tjera për të cilat shumicën e rasteve janë skeptikë nëse duhet t’i ndajnë me prindërit e tyre ose jo.

“Kjo është ndonjëherë ajo se çfarë ata duan të diskutojnë me prindërit e tyre, por për një pjesë të madhe të adoleshentëve kjo më shumë është një qasje individuale. Ata duan të zhvillojnë një identitet të pavarur. Adoleshentët ndonjëherë mendojnë se duhet të jenë të pavarur kështu që mund të jetë më e vështirë të flasin hapur me prindërit për mënyrën se si ndjehen,” tha psikologu në Universitetin Clark, Jeffrey Arnett.

Studiuesit gjithashtu thonë se mund të ketë një hendek ose një mospërputhje të mbështetjes që prindërit ofronin dhe asaj që vërtet fëmijët e tyre kishin nevojë. Studimi nuk ka një përcaktim të qartë të mbështetjes emocionale apo sociale kështu që mbetet në dorën e fëmijëve dhe të prindërve të vendosnin se çfarë do të thotë kjo për ta./tvklan.al