Pas deklaratave të presidentit Topi në Himarë lidhur me abuzimet e bëra në ndarjen e tij të pronësisë në vite, pronarët deklarojnë se këto shkelje janë më të shumta në zonat bregdetare. Anëtari i kryesisë së shoqatës “Pronësi me drejtësi” Reshit Vorbsi, deklaroi për televizionin Klan, se edhe projektligji i ministrisë së drejtësisë për të verifikuar rastet e ndarjes në mënyrë të padrejtë të tokave në ligjin 7501 nuk do të zgjidhë problemet që ekzistojnë prej vitesh.

Reshit Vorbsi: “Veçanërisht abuziviteti në ndarjen e tokës ka qenë më i madh në atë zonën që kanë pasur interes më të madh ekonomik dhe këtu bregdeti ngelet vendi, ku është bërë kasaphanë në ndarjen e tokave. Kjo është një nga lëvizjet më të mira që mund të bëhet identifikimi i të gjithë abuzimeve që janë bërë në vite në raport me ndarjen e tokës bujqësore. Por ajo që na ka shqetësuar më tepër dhe që ne e kemi  evidentë është fakti se për çudinë e madhe në një vend që parashikon që këto toka t’ju shiten pikërisht këtyre personave.”

Ai ndalet edhe në çështjen e kompensimit financiar të ish pronarëve që vazhdon të mbetet e pa zgjidhur.

Reshit Vorbsi: “Përsa i përket vlerës së çmimeve mesatare që janë parashikuar në këtë tabelë të paraqitur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është një shifër të cilën agjencia e ka bërë publike në … rreth 4.5 miliard dollar. Unë them që kjo shifër është totalisht e pavërtetë dhe totalisht e pasaktë dhe rasti më konkret është rasti i Tiranës. Në Tiranë agjencia çmimin mesatar të trojeve, po flasim për toka brenda në Tiranë e ka parashikuar 32 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë që pronarët për vitin 2007 janë kompensuar për qytetin e Tiranës në një çmim që ka variuar nga 300 mijë lekë për metër katror deri në 770 mijë lekë për metër katror.”

Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave e ish-pronarëve për vetë kompleksitetin që mbart vazhdon prej vitesh të mbetet e pazgjidhur./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama