Mia le Roux është gruaja e parë që nuk dëgjon e cila është kurorëzuar Miss Afrika e Jugut pas një kompeticioni shumë të diskutueshëm ku njëra prej finalisteve u tërhoq nga gara për shkak të replikave mbi prejardhjen e saj.

Në fjalimin, Le Roux tha se shpreson që fitorja e saj të ndihmojë ata që ndihen të përjashtuar nga shoqëria për të përmbushur “ëndrrat e tyre më të pabesueshme, njësoj si po bëj unë”.  Ajo shtoi se dëshiron të ndihmojë ata që janë të “përjashtuar financiarisht ose me aftësi ndryshe”.

28-vjeçarja u diagnostikua me humbje të dëgjimit kur ishte një vjeçe dhe mban një implant për të perceptuar tingujt. Ajo tha se i janë dashur dy vite terapi të foluri përpara se të mund të fliste fjalët e para.

Pas fitores, modelja tha: “Jam një grua afrikano-jugore krenare që s’mund të dëgjojë dhe e di ç’do të thotë të ndihesh e përjashtuar. Tani e di se linda në këtë planet për të thyer barrierat dhe ia dola sonte”.

Javën e shkuar, 23-vjeçarja Chidimma Adetshina u tërhoq nga konkursi për shkak të aludimeve se nëna e saj mund të kishte vjedhur identitetin e një gruaje afrikano-jugore.

Adetshina ishte lindur në Afrikën e Jugut nga një baba  me origjinë nigeriane dhe nëna ishte nga Mozambiku. Për javë të tëra, ajo ka qenë nën lupën e rrjeteve sociale, përfshirë edhe një ministër që dyshonte mbi të drejtën e saj për të përfaqësuar vendin.

Ajo tha se ishte viktimë e një lloj rrymë të ksenofobisë në Afrikën e Jugut që njihet si “afrophobia” e cila shënjestron nënshtetas të vendeve të tjera afrikane./tvklan.al