E ardhmja e Alexander-Arnold është e paqartë te Liverpuli. Mbrojtësi 25-vjeçar kërkohet nga dy klubet gjigante të La Liga-s, Reali dhe Barcelona.

Real Madridi dhe Barcelona po monitorojnë Trent Alexander-Arnold ndërsa po mendojnë të bëjnë një lëvizje të mundshme për mbrojtësin e Liverpoolit në verën e ardhshme.

Lojtari 25-vjeçar është shndërruar në një yll në ‘Anfield’, që kur debutoi në vitin 2016.

Futbollisti i akademisë ka luajtur në më shumë se 300 ndeshje me të kuqtë, ndërsa kontrata i përfundon pas një sezoni.

Sipas tabloidit “The Sun”, ka një ‘El Clasico’ në merkato për futbollistin anglez, që ende nuk ka rinovuar me të kuqtë.

Të dyja klubet besojnë se Alexander-Arnold do të ishte i hapur për një lëvizje.

Besohet se Liverpool do t’i ofrojë 25-vjeçarit një marrëveshje të re që do ta rriste ndjeshëm pagën e tij aktuale prej 180,000£ në javë, megjithëse klubi nuk është gati që të harxhojë shifra të çmendura për ta mbajtur atë.

Alexander-Arnold ka një miqësi të ngushtë me yllin e Realit Jude Bellingham, e kjo mund të ndikojë në transferimin e tij në ‘Bernabeu’.

Të dy i kaluan bashkë pushimet në Los Anxhelos.

Alexander-Arnold është një nga disa prej titullarëve, e ardhmja e të cilëve është e paqartë në Anfield.

Edhe Mohamed Salah, 32 vjeç dhe Virgil van Dijk, 33, janë në vitin e tyre të fundit në kontratë me Liverpulin.

Mbrojtësi 25-vjeçar ka fituar shtatë trofe me të kuqtë gjatë tetë viteve të fundit, ku ka shënuar 19 gola e ka dhënë 81 asiste në 310 takime të luajtura.

Klan News