Portieri brazilian, Ederson, ishte një nga më të përfolurit për t’u transferuar në Arabinë Saudite, në këtë merkato vere.

Megjithatë, lojtari ka vendosur të qëndrojë në Premier League, te Manchester City, të paktën edhe për një sezon.

Kjo u konfirmua nga vetë Ederson, në një prononcim të dhënë pas fitimit të Superkupës së Anglisë.

“Vendimi është marrë. Unë do të qëndroj në Manchester City këtë sezon. Fola me Pep Guardiolën dhe ishte vendimtare. Jam i lumtur që qëndroj, i fokusuar plotësisht në fitimin e më shumë titujve këtu”, deklaroi portieri.

30-vjeçari luan te Manchester City nga viti 2017, ndërsa vlerësohet maksimalisht nga trajneri Guardiola, për shkak të lojës së tij me këmbë.

Gjatë kësaj periudhe te “qytetarët”, Ederson ka fituar 18 trofe, ndërsa ka kontratë me klubin anglez deri në verën e vitit 2026. /tvklan.al