Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas deklaratës së deputetit Spahia një ditë më parë në Kuvend, socialistët u shprehën, se nuk do të tolerojnë më shfaqet e opozitës që bllokojnë punimet e Kuvendit dhe ulin prestigjin përpara ndërkombëtarëve.

Bardhyl Agasi: “Shkelje të tilla të rënda janë bërë tanimë vazhdë nga deputetë të opozitës dhe jo pa qëllim. Duke njohur dështimin e politikës së rrugës, luftën politike në Kuvend, opozita e ka shndërruar në shfaqje dhune, grindje, sharjesh, shpifjesh, duke cenuar rëndë punën dhe imazhin e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, duke cenuar rëndë imazhin e klasës politike shqiptare dhe duke u bërë një pengesë serioze, për procesin e nënshkrimit të MSA”.

Nga ana tjetër, legalisti Spahia ka sqaruar deklaratën e tij në Kuvend, duke argumentuar dhe masën e ndërmarrë nga kryetari i Kuvendit.

Ekrem Spahia: “Unë nuk i kam fyer aspak socialistët, por ju kam thënë, se nga mënyra se si po sillen për projektligjin e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë dhe nga shkelja permanente që i bëjnë rregullores, unë ju kujtova se ju iu ka futur në rresht zoti Nano, duke iu kujtuar edhe një fjalë të tij, që e kam lexuar në gazetën e përditshme “Koha Jonë” nga zoti Nikollë Lesi dhe atë çka ai iu bën socialistëve nuk mund t’ua bëjë deputetëve të opozitës dhe ish-të përndjekurve politikë. Pra unë nuk i kam fyer, por kam cituar në mënyrë të moderuar, një fjalë të kryeministrit Nano ndaj deputetëve të tij. Por nuk është hera e parë që zoti Pëllumbi më dënon, më ka dënuar edhe herë të tjera, çka dëshmon më së miri, se tek zoti Pëllumbi dhe mazhoranca socialiste ne vazhdojmë të konsiderohemi armiq dhe si të tillë ata nuk na duan në parlament”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj