Nga Davosi ku po merr pjesë në forumin ekonomik botëror kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka komentuar vendimin e Bankës së Shqipërisë për uljen e normës së interesit për lekun me 0.5%.

Në një intervistë dhënë për agjencinë e lajmeve, Reuters, shefi i qeverisë shqiptare ka deklaruar se në të ardhmen kjo bankë duhet të reagojë më me kujdes në lidhje me uljen e normës së interesit.

Vendimi i Bankës së Shqipërisë erdhi pas kërkesës së bankave të nivelit të dytë në vend dhe u komentua si një veprim që do të nxisë zhvillimin ekonomik pasi norma e interesit u mbajt gjatë gjithë vitit 2008 e pandryshuar në nivelin e 6.25%-ve.

I pyetur nga gazetarja e agjencisë Reuters në lidhje me uljen e mëtejshme kreu i ekzekutivit tha se duhet të monitorohet zhvillimi ekonomik.

Duhet të tregohemi të duruar, tha Berisha, duhet të tregojmë kujdes pasi na duhet edhe të kursejmë.

Duke folur për takimin e zhvilluar një ditë më parë me kryeministrin suedez, Fredrik Reinfeldt, Berisha tha se ka kërkuar më shumë investime nga Suedia.

Në lajmin e publikuar në faqen zyrtare të agjencisë më të madhe të lajmeve Reuters thuhet se aktualisht Shqipëria nuk është përfshirë nga kriza financiare që ka mbërthyer të gjitha vendet më të zhvilluara në botë.

Duke cituar kryeministrin Berisha më tej në lajmin e Reuters thuhet se sistemi shqiptar bankar ka likuiditet dhe kjo sipas tij vjen pasi bankat nuk japin hua më shumë se 50 apo 60% të depozitave të tyre.

Sipas Reuters qeveria shqiptare pret një rritje ekonomike prej 6% gjatë vitit 2009./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka