Ëndrra që nisi dy javë më parë si dëshirë për të përmbushur një pasion, tani është shndërruar në një sfidë të bukur me plot të papritura.

E kanë nisur së bashku, kanë përballuar orët e gjata të mësimit dhe disiplinën artistike, debatet e thella dhe emocionet e forta, kanë mësuar sensin e garës dhe kalitur vullnetin, janë miqësuar mes tyre dhe kanë ndarë momente gëzimi duke mos përjashtuar edhe lotët.

Pas gjithë këtyre ditëve me punë dhe ankth nxënësit e Akademisë ndodhen para momentit të shumëpritur: provimit eliminues, i cili do t’u japë shansin vetëm më të mirëve për të ecur përpara në rrugën që e nisën të gjithë bashkë.

Edhe në minutat e pushimit, edhe në bisedat më të zakonshme argumenti përqendrohet tek dita e provimit që po vjen.

“Provimi, është çik me ankth, jo me frikë, sepse kam besim në forcat e mia dhe mendoj se kam arritur deri aty, dmth, afër asaj që unë kam synuar.”

“Shpresoj të dal mirë sepse kam nisur shumë e qetë këtë shkollë. Shpresoj të shkoj deri në fund. Ishalla do Zoti.”

“Para provimit ndihem shumë e emocionuar, por aspak e trembur. Pavarësisht se ka shumë konkurrencë, të rinj dhe shumë të talentuar nuk jam e trembur sepse e di që kam punuar fort këto dy javë dhe besoj se do ia dal shumë shumë mirë.”

Konkurrimi në gjinitë, këngë, kantautor, balet xhaz dhe hip hop, do të identifikojë përfundimisht se cili nga nxënësit do ta çojnë deri në fund garën, në projektin për t’u bërë një yll./tvklan.al