Fahri Balliu, botues i së përditshmes 55 ka hedhur poshtë akuzat e bëra në media, sipas të cilave ai dhe e bija rezultojnë bashkëpronarë në një firmë ndërtimi me ish-pronarin e kompanisë Albademil, Mihal Delijorgjin. Balliu ka sqaruar se kontrata me kompaninë “TDC “është tërhequr pak kohë pas nënshkrimit, pasi kompania nuk kishte fitim.

Fahri Balliu: “Në shkurt të 2006 vajza ime ka filluar një marrëveshje si 1/5 e një firme që po hapte Delijorgji për gërmim dherash. Që nga momenti i kësaj firme as vakza ime dhe as unë nuk ka asnjë lidhje me këtë firmë e cila vdiq sa lindi .”

Sipas Balliut akuzat e ngritura në adresë të tij janë sulme politike nga ana e kreut të opozitës dhe kryeprokurores Ina Rama.

Fahri Balliu: “Edhe në këtë formë është për ti shërbyer sado pak strategjisë dhe politikës së dy zonjave Rama një të bashkisë dhe një të prokurorisë dhe është drejt për së drejti e lidhur me luftën të cilën bën gazeta dhe media që unë drejtor bashkë bashkë me shtëpinë botuese kundër segmenteve të gënjeshtrës, mashtrimit dhe implikimit me krime të vjetra dhe të reja.”

Deklarata e botuesit të së përditshmes 55 vjen pas akuzave të ngritura në media që e implikojnë të bijën e tij si aksionere të 20% të aksioneve të kompanisë TDC, përfaqësues i së cilës është dhe i akuzuar si përgjegjësi kryesor i tragjedisë se Gërdecit, Mihal Delijorgji./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro