#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.

“U shfaqën hijet e Italisë”, ish-futbollisti komenton 2 minutat kërcënuese me Kroacinë

Ndeshja Shqipëri-Kroaci ishte një spektakël futbolli, me shumë emocione të forta që prej fillimit të saj dhe e mbyllur me barazimin 2-2. Ndeshja rezultoi me pikën e parë për Shqipërinë në këtë kampionat europian. Ekipi kuq e zi u paraqit në formë të mirë që u komentua si dukshëm më pozitive në krahasim me përballjen ndaj Italisë.

Ish-futbollisti Ardit Beqiri i bashkohet këtij mendimi në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, por u ndal te minutat brenda të cilave Shqipëria pësoi golat e Kroacisë. Hapësira e shkurtër e tyre sipas tij, ishte shfaqje e “hijeve të Italisë”. Në atë pikë, shpjegon Beqiri, nis të luajë rol të fortë  ana psikologjike.  Ai shton se një faktor tjetër ndikues është edhe mungesa e historikut të Shqipërisë në Europian.


Ardit Beqiri: Në ndeshjen e djeshme do t’ia vë lodhjes. Golat në minutën e 75-të zakonisht bëhen për mungesë energjie sepse nuk është se nuk mund të kishim vendosur, aty ishim, edhe fizikisht, edhe taktikisht ishim brenda zonës, por unë them që është arsye fizike. Kurse për gafa, nuk është mirë që të hyjmë…

Aldo: Shiko si është puna, ti ke qenë vetë futbollist. Çfarë ndodh te ky 2-minutësh që ne shpartallohemi fare? Çfarë i ndodh fushës? Është emocionale, takati?

Ardit Beqiri: Unë kam përshtypjen që në momentin e 1-1 u shfaqën ato hijet e Italisë. Nga mënyra si na e ktheu Italia, aty është psikologjike. Deri te 1-1 është fizike, goli i shpejtë pas 1-1 është një lloj, nuk është mirë ta themi, por është si tip dorëzimi.

Aldo: U hutuam, i kap paniku.

Ardit Beqiri: Unë kësaj ia vë, është më tepër psikologjike në atë moment. Patjetër që lodhja fizike sjell deri aty, por nga momenti që pëson golin e parë, ai i dyti vjen për arsye dorëzimi, humbet ai besimi.

Aldo: Gol hëngri edhe Skocia dje, por prapë…

Ardit Beqiri: E vërtetë është, por në rastin tonë ne kemi edhe një çikë ngarkesën e dëshirës për të bërë mirë ngaqë kemi edhe shumë tifozë në kurriz, gjithë ata vetë që janë në stadium, dëshira e madhe për të bërë mirë, duket sikur kur hamë ndonjë gol është fundi i botës.

Aldo: Mendon që kemi përgatitje psikologjike të pamjaftueshme?

Ardit Beqiri: Nuk është përgatitje psikologjike të pamjaftueshme, është familjarizimi me Europanin i pamjaftueshëm. Ne sado që kemi bërë mirë, kemi ardhur në Europian, por ne jemi në fillim të rrugës akoma, ne jemi të rinj akoma në këto lloj nivelesh dhe për fat të keq, në këto lloj nivelesh, niveli i përgatitjes fizike dhe psikologjike është diçka tjetër.

“Hoxha është lojtar i së ardhmes”, Beqiri i impresionuar nga këta futbollistë të kombëtares

Për ish-futbollistin e kombëtares, Ardit Beqirin, pika më e fortë e ekipit është mesfusha. Sipas analizës së tij në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, mbrojtja i është besuar Gjimshitit për të cilin s’ka më dyshime. Një surprizë nga ndeshja e së mërkurës me Kroacinë ishte Ajeti, ndërsa sulmi për herë të parë i ofron trajnerit alternativa të ndryshme.


Aldo: Nga këto dy ndeshje që ke parë ose edhe nga miqësoret përpara, cilat janë pikat më të forta të kombëtares tonë, mbrojtja apo sulmi, si e mendon?

Ardit Beqiri: Unë mendoj që është mesfusha me thënë të drejtën. Jo se s’kemi pika të forta në mbrojtje, për shembull Gjimshiti është konfirmim tani, nuk ka më diskutim. Dje më ka bërë përshtypje edhe Ajeti, ka bërë ndeshje shumë të mirë nga ajo që pritej. Nëse do të flasim për pika të forta, kemi edhe në sulm, si asnjëherë tjetër kemi alternativa aq sa dje trajneri ka luksin që Brojën mos ta aktivizojë asnjë minutë. Nuk është ndonjë gabim i madh.

Aldo: S’e di, ai e di.

Ardit Beqiri: Ta shpjegoj. Në ndeshjen me Italinë ne u ndrydhëm, u tkurrëm mbrapa edhe nga presioni i golit. Një çikë nga fakti që po luajmë se në fund të fundit, Italia është kampionia në fuqi, një çikë nga presioni i golit që ne deshëm ta ruanim me çdo kusht, ne u tkurrëm aty mbrapa. Në atë moment, automatikisht Broja doli jashtë loje sepse ngeli i izoluar, ekipi nuk shkonte dot më te Broja. Tani pyetja është e thjeshtë: po mirë, po Broja nuk ikën dot tek ekipi që ekipi ka nevojë që të bënte atë që bëri Rey Manaj dje? Rey Manaj ka luftuar, i ka dhënë frymëmarrje ekipit.

Beqiri pati një vlerësim edhe për Arbër Hoxhën, i cili u fut në lojë në minutën ’85.

Ardit Beqiri: Hoxha është lojtar i së ardhmes.

Aldo: Nuk qe keq për t’u futur aq pak. 

Ardit Beqiri: Po kush e dinte që do të luante ai aq mirë? Se dakord, jo që nuk ishte keq, por unë po të jem, në ndeshjen me Spanjën e fus nga fillimi atë. E meriton. Me atë që tregoi, me mënyrën sesi sulmonte pa frikë./tvklan.al