NATO ftoi zyrtarisht Shqipërinë për t’u bërë aleate me të drejta të plota të saj.

Vendimi unanim i 26 anëtarëve të aleancës u dha në Bukuresht, në samitin më të madh të organizuar prej saj pikërisht në sallën e madhe të pallatit të parlamentit nga vetë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.

Jaap de Hoop Scheffer: “Sot liderët e NATO-s kanë vendosur të ftojnë në aleancë dy vende të reja. Jam i kënaqur si të gjithë ju të mirëpres presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Kroacisë në këtë mbledhje të veçantë të Aleancës. Zgjerimi i NATO-s zgjeron gjithashtu sferën e sigurisë në Evropë, por edhe ndihmon në ruajtjen e demokracisë, lirive dhe vendosjes së shtetit ligjor. Prezenca juaj në këtë tryezë do të zgjerojë më tej sigurinë jo vetëm në vendet e NATO-s, por veçanërisht në Evropën Juglindore. Jam i sigurt se kontributi juaj do të forcojë NATO-n. Ju duhet të ndiheni krenar për arritjet.”

Scheffer preferoi të shoqëronte personalisht për në sallë delegacionin shqiptar të udhëhequr nga presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha dhe atë kroat, të drejtuar nga presidenti Mesiç dhe kryeministri Sanader.

Në fjalën e rastit presidenti Bamir Topi e konsideroi ftesën e Shqipërisë si përmbushjen e angazhimeve të të gjitha forcave politike dhe qeverive ndër vite dhe të vetë popullit shqiptar.

Bamir Topi: “Si president i Shqipërisë dëshiroj të falënderoj të gjitha vendet mike, të cilët besuan në kërkesën dhe dëshirën e sinqertë euroatlantike të popullit shqiptar dhe e mbështetën atë. Kjo ëndërr e cila lindi natyrshëm qysh në ditët e para të çlirimit të shoqërisë shqiptare nga komunizmi u realizua sot në Bukuresht. E gjithë shoqëria shqiptare, politika shqiptare, mediat, përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri janë të vendosur dhe të përgjegjshëm për të mbështetur anëtarësimin e vendit në NATO. E konsideroj vendimin që aleanca mori sot për Shqipërinë si një vlerësim dhe besim të atij angazhimi të deritanishëm, serioz dhe shumëplanësh të vendit tim dhe si një angazhim madhor që ne kemi si ndaj vendeve të Aleancës, ashtu edhe ndaj popullit shqiptar. Shqipëria është e gatshme të bëhet pjesë e politikave të sigurisë dhe demokracisë së Aleancës si në planin rajonal, ashtu edhe në atë global.”

Kryeministri Sali Berisha në fjalimin e tij të ngrohtë falënderoi NATO-n për besimin e treguar dhe duke vënë theksin në ëndrrën historike për Shqipërinë u zotua në vazhdimin e reformave dhe në kontributin e vazhdueshëm për aleancën.

Sali Berisha: “Më lejoni të shpreh mirënjohjen për këtë vendim historik që morët sot për të ftuar Shqipërinë për t’u bërë anëtare e Aleancës më të rëndësishme që koha ka njohur. Për Shqipërinë që ka vuajtur kaq shumë dhe ka sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e saj ky vendim çel epokën e shumë dëshiruar të lirive, sigurisë dhe të ardhmes që shqiptarët meritojnë. Dua të falënderoj të gjitha vendet aleate për këtë solidaritet dhe mbështetjen që kanë treguar gjatë këtyre viteve të vështira për Shqipërinë”./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle