Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Partitë pjesëmarrëse në koalicionin Aleanca për Shtetin, kanë firmosur në selinë e Partisë Socialiste, konventën e bashkëpunimit afatgjatë. Nano, Gjinushi, Ceka, Melo, Xhuveli dhe bashkëpunëtorët e tyre, kanë rënë dakord që të mbështesin kabinetin Meta dhe të propozojnë një zgjidhje të përbashkët për përmirësimet në procesin elektoral.

Në konventën e bashkëpunimit, aleatët kanë përkrahur parimin e mos denoncimit të njëanshëm të qeverisë. Është rënë dakord, që tryezën e aleatëve ta drejtojë partia më e madhe e koalicionit. Në këtë mënyrë nuk është pranuar ideja që tryeza e koalicionit të drejtohet me rrotacion nga partitë pjesëmarrëse. Pas mbledhjes kryesocialisti Nano u shpreh:

Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Dëgjuan me vëmendjen e duhur kryeministrin Ilir Meta, që njohu drejtuesit e partive të koalicionit qeverisës me prioritetet, aksionet dhe angazhimet e qeverisë sonë të përbashkët, deri në mbyllje të mandatit 4 vjeçar. I shprehën atij mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë për të gjitha veprimet që ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë në funksion të përmbushjes së angazhimeve tona bashkëqeverisëse”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame