Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Demokratike do të protestojë e vetme. Opozita e madhe nuk do të ketë mbështetjen e aleatëve të saj, e për më tepër kur bëhet fjale për mbrojtjen e votave të kandidatit demokrat për bashkinë e Tiranës Spartak Ngjela. Partitë e spektrit të djathtë kundërshtojnë daljen e tyre në krah të PD, pasi ky argument nuk i bind.

Dashamir Shehi:- “Unë mbështesë çfarëdo lloj proteste që është kundër qeverisë Nano dhe kundër krimit, për ujë për drita, për gjithë këto probleme që janë, kurse për votat e avokatit nuk dalë në protestë. Avokati më parë duhet të marrë votat e partisë së vetë, pastaj të ngrejë popullin e Tiranës. Fatkeqësisht, avokati është kandidati më i dobët që ka pasur ndonjëherë historia e këtij qyteti nga krahu i djathtë”.

Ekrem Spahia:- “Kur proteston Partia Demokratike, e cila ka hartuar dhe miratuar bashkë me PS kodin zgjedhor, kur proteston PD që listat e zgjedhësve i kanë bërë së bashku, kur proteston PD që ka pasur shumicën e anëtarëve në komisionet e nivelit të 2 dhe të 3, dhe ankohet për manipulimin e votës, PLL ka një mijë e një arsye për të protestuar, sepse kemi një proces totalisht të shkatërruar”.

Kryetari i PR Fatmir Mediu, që konsiderohet si aleati më i afërt i PD, nuk shprehet i gatshëm për të dal në protesta.

Fatmir Mediu:- “Ju thoni do mbështesim protestat e PD, unë jam përfaqësues i Partisë Republikane nuk jam përfaqësues i PD. Pavarësisht se jam aleat me PD, ka një vendim të PD, jo një vendim të PR apo të koalicionit për protestat. As nuk kam ndonjë kërkesë zyrtare nga PD për protesta. Po të marrë një kërkesë do ta shqyrtojë me kolegët e PR dhe po ta shikojmë të arsyeshme do të marrim pjesë”./tvklan.al