Lajme Arkiva 2003

Pas deklaratave evazive nga kryeministria dhe presidenca mbi takimin e trojkës Moisiu, Nano Pëllumbi, presidenti i republikës del me një deklaratë mbi krizën aktuale të kabinetit qeveritar dhe përpjekjes institucionale për zgjidhjen e saj. Për herë të parë Moisiu del me një qëndrim të përcaktuar qartë ku vlerëson si jo normale dhe shkelje të kushtetutës qeverisjen me zëvendës ministra.

“Presidenti vlerëson si jo normale dhe cenim të kushtetutës së republikës së Shqipërisë mbajtjen vakant për një kohë të gjatë të dy posteve ministral dhe caktimin e përkohshëm në to të zëvendës ministrave”.

Duke ju referuat takimit me kryeministrin Nano dhe kryetarin e kuvendit Pëllumbi, presidenti në mesazhin e tij thekson se ai është zhvilluar në vazhdën e një sërë takimesh dhe konsultimesh me politikanë, intelektuale, diplomatë dhe juristë, për kapërcimin  e krizës qeveritare.

“Në funksion të këtij synimi ishte edhe takimi i ditës së djeshme në selinë e presidentit me kryeministrin dhe me pjesëmarrjen e kryetarit të kuvendit të Shqipërisë. Në këtë takim presidenti u njoh me qëndrimin politik të kryetarit të mazhorancës parlamentare dhe mundësitë e zgjidhjes prej tij të krizës aktuale qeveritare. Presidenti i republikës vlerëson se respektimi i ligjit themeltar të shtetit mundësohet me rrugën e mocioneve të sanksionuara ne nenet 104 dhe 105 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke provuar mbështetjen ose jo të kuvendit ndaj kryeministrit”.

Në vijim të deklaratës presidenti i republikës distancohet nga tonet e debatit politik të ditës dhe thekson se s’do të bëhet palë me manovrat politike, pasi faturat e krizës sipas tij i paguajnë qytetarët. Në përfundim duke ju drejtuar të gjithë klasës politike, presidenti nënvizon se ka ardhur koha që çështjet kushtetuese duhet të përballohen vetëm me mjete kushtetuese./tvklan.al