Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ardian Klosi: “Mua më duket në përgjithësi kështu, si teatri veror i radhës i politikës sonë, sepse është e qartë, kemi një zgjidhje kushtetuese që kërkon një KQZ sa më pak politik dhe ky është thelbi i çështjes. Kurse partitë e mëdha sot, ose PD po duan që ta politizojnë KQZ, jemi tamam në rrugën e mbrapsht, nuk mund të zgjidhet kjo. Ka mundësi ta ketë krejt shoqëria civile psh. me një fjalë duhet të jenë njerëz krejt të paanshëm. A në qoftë se kërkohet një zgjidhje, le të krijohet një instancë, që do të vëzhgonte punën e KQZ, aty le të jetë bipartizane, trepartizane, si të duan, por që të preket kjo zgjidhje e mirë e Kushtetutës, mua më duket absurde dhe pak muaj para zgjedhjeve”.

Mero Baze: “Beteja për KQZ është beteja për krijimin e një klime të besueshme për zgjedhje, pa një klimë të besueshme për zgjedhjen ne nuk mund të hyjmë në zgjedhje, nuk mund të kemi zgjedhje, sikur ato të bëhen të ndershme ato janë të paragjykuara, për shkak se klima e besimit është elementi i parë në çdo situatë konflikti apo në çdo situatë krize që krijon premisat për të shkuar drejt një rezultati të besueshëm. Për këtë arsye, debati rreth balancimit të KQZ dhe krijimit të klimës së besueshme, i cili është kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për zgjedhje të lira është një debat real dhe që do të dëmtojë rëndë integritetin e procesit elektoral dhe do të rrisë shumë përgjegjësinë politike për partinë në pushte në qoftë se ajo nuk do të demonstrojë vullnetin për ta realizuar atë. Zgjidhja nuk duhet të shkojë përmes opinioneve, por duhet të shkojë përmes kuadrit ligjor të rekomanduar tashme dhe nga OSBE-ja, ka dy zgjidhje të ofruara dhe janë që të dyja logjike, zgjidhja e parë është prekja e Kushtetutës me vullnet politik, mjafton të kujtojmë që pjesa për KQZ në Kushtetutë nuk është një pjesë thelbësore e Kushtetutës është një pjesë që shumë Kushtetuta të botës nuk e kanë, ajo mund të preket, mund të kalohet tek balancimi nga ana ligjore jo kushtetues i KQZ, pra përmes një vullneti politik në parlament, mes dorëheqjeve të ofruar nga disa anëtarë të KQZ, mund të bëhet balancimi defacto i KQZ, pa kaluar në ndryshime ligjore”.

Blendi Fevziu: “Ka një keqkuptim të vazhdueshëm, në mënyrën se si është ngritur KQZ, në të gjithë zgjedhjet e mëparshme dhe duhet të kemi parasysh që nuk diskutohet thjeshtë nga ana juridike problemi, apo nga ana ligjore, problemi është që zgjedhjet zhvillohen në Shqipëri, në një klimë absolute mosbesimi, midis të gjitha palëve, sidomos midis pozitës dhe opozitës, midis forcave të mëdha PD dhe PS, kështu që gjetja e një balancimi të KQZ është një nga kushtet bazë të paktën, qoftë edhe psikologjikisht për të garantuar barazi në këto zgjedhje, megjithëse nuk është që KQZ është kryesorja. Se si mund të ishte mundësia, ose me ndryshim Kushtetute apo duke avancuar mbarimin e mandatit disa prej anëtarëve është e vështirë të thuhet. Gjithsesi problemi bazë është ky, që dy forcat politike duhet të merren veshë në mënyrë absolute për balancimin e KQZ, sepse mund të ndodh si në zgjedhjet e tetorit, që nuk u balancua KQZ, por u ndërtua një kod elektoral, i vili nuk qe më i vlefshëm dhe nuk u pranua nga partitë për arsye të mosfunksionimit të këtij kodi dhe KQZ, kështu që unë mendoj, në fund të fundit në Shqipëri nuk ka ndonjë gjë, ligjet i bëjnë njerëzit, forcat politike në qoftë se kanë vullnetin mund të ndryshojnë ligjin, ose mund të adoptojnë një ligj që mund të jetë më i përshtatshëm”./tvklan.al