Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ardian Klosi: “Mua e gjitha kjo më duket një cirk majmunësh, d.m.th. qysh kurse ka filluar puna e reformës zgjedhore, komisionit bipartizan etj. Kemi një gjendje skizofrenike, më një anë bëjnë sikur duan ta rregullojnë këtë gjë, në anën tjetër e prishin përditë, qoftë krahu i qeverisë, qoftë krahu i opozitës. Ranë dikur dakord që do të bëjnë këto ndryshime, tashti ia hedhin fajin njëri-tjetrit dhe prapë nuk janë dakord. Ka një përgjegjësi të rëndë qeveria në qoftë se nuk do të bëjë listat e plota të zgjedhësve, se ky ishte argumenti kryesor, ashtu siç ka dhe opozita me bashkitë që disponon etj. Pra unë shoh një mungesë totale të vullnetit, për të bërë atë që duhet, me qëllim që të shkojmë në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe herë i hidhet faji ndërkombëtarëve dhe herë veprohet kundër këshillave të tyre. Pra është për mua një skizofreni e pa shpresë.”

Andi Bushati: “Ne këto ditë kemi parë një nga deklaratat më të ashpra që ka bërë Bashkimi Europian ndaj Shqipërisë, e mbështetur më pas dhe nga SHBA dhe OSBE. Pritej të paktën nga ata njerëz me mënd që janë në Shqipëri, pritej një reagim i fortë se çfarë do të bëhej, ka ndodhur e kundërta, ka ndodhur një inerci, ajo që shpesh thonë zyrtarët e mazhorancës tonë, që sikur ata janë për të gjykuar se si reagojnë institucionet ndërkombëtare dhe perëndimore. Ata thonë që janë deklarata me vend, janë deklarata të drejta, BE ka vënë edhe njëherë pikat mbi “i”, duke u futur në një retorik shterpe dhe që tregon një gjë esenciale, ata nuk kanë ndërmend të reagojnë për sinjalet që i vijnë si nga institucionet europiane edhe nga ato përtej Atlantikut. Edhe keqtrajtimet e fundit që i bëhen emigrantëve shqiptarë edhe mungesa e njerëzve që nuk marrin dot viza dhe dergjen para dyerve të ambasadave, edhe studentët që nuk validojnë dot diplomat e tyre, duhen parë pikërisht në këtë këndvështrim, në pamundësinë politike të elitës shqiptare për t’i dhënë qytetarëve të saj një shans për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.”

Mero Baze: “Ka një përpjekje për ta relativizuar rëndësinë e deklaratave të perëndimit, lidhur me paralajmërimet që ata po japin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Shqipëri dhe referimin e tyre në çështje konkrete siç është balancimi i KQZ dhe hartimi i listave zgjedhore. Për herë të parë kemi fokusuar tek një çështje shumë konkrete institucionet ndërkombëtare tek një qëndrim shumë i përgjithshëm i qeverisë shqiptare, pra ndërkombëtarët janë shumë konkret në atë që thonë, kurse qeveria shqiptare e cila po bëhet përgjegjëse për këtë punë mban një qëndrim shumë të përgjithshëm dhe përpiqet më tej akoma me detaje banale për t’a përçarë komunitetin ndërkombëtar duke thënë, nuk është qëndrimi BE, por është i residencës holandeze, pra prakitikisht po përpiqen të gjejnë detaje për të relativizuar rëndësinë e një qëndrimi të ashpër ndërkombëtar siç është për zgjedhjet, pra thjesht është një përpjekje për të vazhduar rrugën e klimës së mosbesimit ndaj zgjedhjeve dhe për të shpëtuar praktikisht nga ndërkombëtarët për zgjedhje të lira.”/tvklan.al