Çmimi i bisedave telefonike celulare për të gjithë abonentët do të ulet duke filluar nga 15 Shtatori.

Kjo deklaratë vjen nga Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë analizës shtatë mujore të dikasterit që ai drejton.

Po kështu ministri Olldashi u shpreh se është shpallur kërkesa për shprehje interesi për operatorin e katërt celular.

Sokol Olldashi: “Të gjithë përdoruesit e telefonisë celulare, pra të gjithë qytetarët shqiptarë që përdorin celular, do të paguajnë 20% më pak brenda datës 15 Shtator. Është shpallur kërkesa për shprehjen e interesit për kompaninë e katërt, për operatorin e katërt, GSM, dhe është përgatitur projektvendimi për procedurat që do të ndiqen për prokurimin e hapur ndërkombëtar të kësaj licence”.

Ndërkohë Ministri i Transporteve tha se ministria që ai drejton ka realizuar më së miri projektet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në vend si dhe është dyfishuar fondi për sigurinë rrugore.

Sokol Olldashi: “Ne kemi një realizim prej 67% të investimeve që vijnë nga buxheti i shtetit dhe 56% të financimit që vijnë nga financimi i huaj. Jemi konkretisht pra duke punuar në 161 objekte. Po projektohen 70 akse të reja rrugore”.

Gjithashtu një lajm i mirë vjen edhe për ndërtimet që janë në proces legalizimi. Një pjesë e dosjeve janë përgatitur dhe së shpejti do të marrin dokumentin e pronësisë.

Sokol Olldashi: “Janë duke u përgatitur dosjet individuale për 100 mijë ndërtime dhe brenda javës së parë të Shtatorit praktikat e para do të shkojnë në Këshillin e Ministrave për miratim. Objektivi ynë është që brenda fundit të vitit 200 mijë ndërtime të kenë marrë dokumentin e pronësisë”.

Por ministri paralajmëroi se menjëherë pas përfundimit të sezonit turistik do të fillojë aksioni për prishjen e objekteve pa leje në zonën bregdetare.

Krahas arritjeve ministri Olldashi deklaroi se sektori më problematik vazhdon të mbetet transporti hekurudhor për të cilin po shikohet mundësia e dhënies me koncesion./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami