Blendi Fevziu: “Zoti kryeministër, ju uroj për faktin që sot Shqipëria për herë të parë ka marrë pjesë si anëtare me të drejta të plota në samitin e Aleancës së Atlantikut, duke shënuar kështu pra prezencën e saj. Shumë e vonuar kjo prezencë, apo jo? 19 vjet mbas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri dhe 42 vjet mbasi kemi lënë traktatin e Varshavës.”

Sali Berisha: “Së pari, le të ndalemi tek madhështia, rëndësia e ditës së parë të Shqipërisë në NATO. Kjo përbën ditën më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së vendit…”.

Blendi Fevziu: “Përse ditën më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë?”

Sali Berisha: “Përbën ditën më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së vendit sepse për shqiptarët, një komb që kanë vuajtur dhe kanë paguar çmimin më të madh për problemet e sigurisë së tyre, një komb që me gjithë përpjekjet mbinjerëzore që kanë bërë mund të themi se më së shumti kanë arritur të sigurojnë mbijetesën. Dita e sotme hap një epokë të re, epokën e sigurisë së plotë të lirive të tyre, epokën në të cilën shqiptarët do mund të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë në liri. Dita e sotme i jep fund një tranzicioni 18-vjeçar të Shqipërisë dhe e vendos Shqipërinë…”.

Blendi Fevziu: “Tranzicion i zgjatur gjithsesi”.

Sali Berisha: “Do të dal, do ndalem dhe aty se është i lidhur me të dhe e vendos Shqipërinë do të thosha në rrugën e kombeve dhe vendeve më të zhvilluara. Dita e sotme, e cila nisi me kalimin e urës së Evropës së bashku me të gjithë udhëheqësit më të shquar të Evropës dhe të botës. Përbënte një moment simbolik çfarë do të thotë se shqiptarët nuk do të jenë më, nuk do të jenë më në rrugën e tyre të vetmuar. Nuk do të jenë vetëm”.

Blendi Fevziu: “A meritojmë gjithsesi të ecim përkrah vendeve të tjera me standarde shumë më të larta se ne, zoti Berisha, dhe më të certifikuara?”

Sali Berisha: “Mendoj se…”.

Blendi Fevziu: “Pra, a e kemi miratuar anëtarësimin do ishte pyetja më e mirë?”

Sali Berisha: “Mendoj se anëtarësimin e kemi merituar plotësisht. Theksova në fjalën time, po e theksoj dhe këtu. Sot është një ditë krenarie më të madhe që kemi ndjerë ndonjëherë në jetën tonë, por sot është dita e mirënjohjes më të thellë. Në këto vite Shqipëria, e cila e filloi vite dritë larg vendeve të lira, e cila e filloi dekada të tëra mbrapa të gjitha ish-diktaturave të tjera komuniste. Ia dolën në një hark kohor, krahasuar me nga e nisi relativisht të shkurtër të meritoj një vlerësim kaq të madh dhe të bëhet anëtare e plotë. Po rikujtoj sot këtu vetëm përgjigjen që i dha presidenti Obama pyetjes së gazetarit…”.

Blendi Fevziu: “Ish-gazetar i Klanit dhe ai”.

Sali Berisha: “Ish-gazetar i Klanit dhe për Shqipërinë presidenti Obama u shpreh se jemi krenar me reformat dhe arritjen e Shqipërisë dhe se Shqipëria ka bërë reforma të jashtëzakonshme të suksesshme, pra çfarë ishte sot kjo ditë? Ishte vlerësimi më i madh, besimi më i thellë tek reformat që Shqipëria ka kryer dhe ka ndërmarrë…”./tvklan.al