Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Hotel Tirana i shitet për 5.2 milion euro 24 biznesmenëve shqiptarë në një ankand të hapur ndërkombëtar. Oferta fillestare prej 5 milion eurosh është rinovuar dy herë më nga 100 mijë euro në ankandin ku pjesëmarrëse ishin kompania italiane Polier dhe kompania turke Hail Tekstil. Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli, përshëndeti nismën e biznesmenëve shqiptarë, tashmë pronarë të hotel Tiranës.

Anasatas Angjeli: “Kjo dëshmon edhe njëherë tjetër për rritjen e biznesit shqiptar dhe pjesëmarrjen e tij, në vepra të ndryshe të zhvillimit ekonomik, në sektorin privat në vendin tonë dhe kontributin që biznesi privat jep, për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”.

Koço Kokëdhima: “Ne kemi menduar që në dy vitet e ardhshme, këtë hotel ta rinovojmë plotësisht, me qëllim që ai të jetë me të vërtetë një objekt interesant për tregun e shërbimeve të llojit të vetë”. Hotel Tirana blihet e zhveshur nga borxhet e një kredie të pashlyer marrë tek BERZH, njëkohësisht do të shlyhen borxhet e prapambetura në taksat dhe pagesa të tjera që kapin vlerën e një milion eurove, sipas përfaqësuesit të BERZH-it Giulio Moreno.

Giulio Moreno: “Nga çmimi i shitjes do të paguhen më parë të gjitha detyrimet e hotelit në lidhje me punonjësit dhe taksat e prapambetura. Vlera që do të mbetet do të përdoret për të paguar dhe borxhin e mbetur nga kredia që BERZH i ka akorduar hotel Tiranës. Nuk do të mund të paguhet i gjithë borxhi dhe ne do të humbasim, për fat të keq kredia nuk ishte një projekt që shkoi mirë, por ne gjithsesi jemi të kënaqur që procesi i shitjes ishte i rregullt dhe transparent”.

Hotel Tirana u ndërtua në vitet ’70 dhe u rikonstruktua 1994. Aksionerët e saj ishin INSIG, Banka e Kursimeve, DV Alba dhe qeveria shqiptare./tvklan.al