Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli për “Klan Kuqezi”, para ndeshjes që Kombëtarja shqiptare do të luajë në Ligën e Kombeve, ndaj Gjeorgjisë.
Duka deklaroi se mendonte se do të kishte më pak presion se ndeshjet e kaluara, por sipas tij, është njësoj.
Sipas tij, Shqipëria tani synon Botërorin, që është një objektiv real. Duka zbuloi gjithashtu, se emocionet për këtë takim janë shumë të mëdha, madje më të mëdha se ato ndaj Ukrainës.
“Para se të fillonte kompeticioni, mendoja më pak presion, por qenka njësoj. Uroj të jemi të gëzuar në fund. E shijova shumë edhe fitoren e U-21 ndaj Zvicrës, ishte me përmbysje. Këto lloj fitore, japin më shumë gëzim.
Ky është një grup i balancuar. Të katërta skuadrat janë në të njëjtin nivel. Të gjitha rezultatet janë të mundshme. Kemi bërë vetëm një ndeshje dhe nuk duhet të jemi euforikë. Një fitore sot do na ngjiste në krye. Kam shpresë se do kemi një rezultat pozitiv ndaj këtij publiku.
Duhet të falënderojmë çunat që janë në fushë. Tani Shqipëria, është një hap më lart, kur Bogdani ishte në ekip. Ky progres ka ardhur nga kontributi vit pas viti. Duhet ta synojmë Botërorin. Është më i vështirë se Europiani. Duhet ta synojmë, e kemi objektiv. Megjithatë objektivi sot është ndeshja me Gjeorgjinë.
Me Silvinjon diskutimin për kontratën e kishim mbyllur që në janar dhe nuk donim të shpërqendroheshim. Nuk kemi dyshuar në punën që ka bërë ai dhe stafi i tij.
Emocionet sot janë më shumë sot, sesa kundër Ukrainës. Unë uroj që publiku të jetë energji pozitive për ekipin. Shpresoj shumë dhe jam i bindur te profesionalizmi i çunave. Unë për vete kam shumë emocione.”, deklaroi Duka.
Ndeshja Shqipëri-Gjeorgji, transmetohet në ekranin e Tv Klan.
/tvklan.al