Për rezultatin e ndeshjes me Gjeorgjinë, Qazim Laçi u shpreh në “Klan Kuq e zi” se “mungoi agresiviteti”.  Lojtari, i cili nuk ishte pjesë e formacionit sonte por hyri në lojë në minutën ’61 duke zëvendësuar Arbër Hoxhën, tha se kjo zgjedhje e trajnerit nuk ishte e befasishme për të.

Sa i përket pritshmërive për formacionin, Laçi pohoi se ishin të larta si nga vetë ata, por edhe nga tifozët dhe ndonëse rezultati nuk ishte ai që dëshironin, është momenti për të vazhduar përpara.

Alban Xhihani: U befasove pak që s’ishe në formacion apo ndoshta trajneri kërkoi të provonte diçka ndryshe sot?

Qazim Laçi: Janë zgjedhjet e trajnerit.

Alban Xhihani: Nuk e vë në diskutim, por u befasove?

Qazim Laçi: Jo, jo asnjëherë.

Alban Xhihani: Kush ishte arsyeja? Trajneri kërkonte të provonte diçka tjetër, ndonjë gjë ndryshe që mund ta keni provuar në stërvitje?

Qazim Laçi: Besoj se po, trajneri kërkonte ndoshta lojtarë si Hoxha që është shumë i mirë në provokimet e topit, të marrë lojtarë me vete, të hapë hapësira dhe me këtë mendim shkoi edhe trajneri. Ndoshta nuk funskionoi aq mirë siç po e prisnim të gjithë, beosj ju nga jashtë po prisnit  pak  më shumë, edhe ne nga pankina prisnim prapë njëlloj, nuk eci, por vazhdojmë.

Alban Xhihani: Personalisht, po të vazhdonte ashtu pjesa e parë, okej, në pjesën e dytë nuk e di pse i lamë kaq shumë terren dhe sikur e ndollëm golin që pësuam.

Qazim Laçi: Na mungoi agresiviteti. Arsyeja ishte se edhe ne nga ana jonë nuk kemi nevojë të lëmë hapësira, e njohim ekipin e Gjeorgjisë, janë ekip që funksionojnë shumë mirë, ka 2-3 lojtarë me kualitetedhe kjo ishte arsyeja jonë ta mbrojmë dhe besojmë e bëmë me sukses, nga ana tjetër na munguan shumë gjëra si në ndeshjen me Ukrainën, e patë edhe ju që ishim shumë ndryshe.

Erjon Bogdani pati një vlerësim për Laçin, duke e cilësuar si lojtar që do e dëshironte çdo trajner. Ai pati gjithashtu një këshillë për të, por mbi të gjitha evidentoi performancën e mirë në fushë.

Ndeshjet e fundit ka qenë një nga lojtarët më të mirë për ekipin kombëtar. Është një lojtar që mua më pëlqen shumë. Është një lojtar trajneri që çdo trajner ka dëshirë të kishte një lojtar të tillë sepse dylufton shumë,  fiton shumë duele, por edhe një gjysmë-mesfushori i kohës sepse edhe kur e ka topin ekipi kundërshtar, sulmon gjithmonë portën dhe është i rrezikshëm përpara  portës. Do t’i thoja të përmirësojë pak fazën realizative, mund të kesh mundësi të  bësh ndonjë gol më shumë sepse kjo ta ngre edhe nivelin si lojtar. Komplimente  sepse sidomos në këto ndeshjet e fundit ke qenë një nga më të mirët në fushë!

Sa u përket ndeshjeve të ardhshme, Laçi tha se eksperienca e fituar në Europian ka shërbyer por ekipi synon të bëjë më mirë duke rregulluar aspektet e vogla që mungojnë.

Qazim Laçi: Do të jemi besoj më të përgatitur sepse para Ukrainës, ndeshjet në Europian na bënë shumë mirë, na dhanë eksperiencë, sot ajo eksperienca na mungoi pak por besoj tani ndeshje pas ndeshjeje ne do të përmirësohemi dhe do të bëjmë  më mirë. Kualiteti është, lojtarët janë këtu, të gjitha janë këtu, vetëm mungojnë gjërat e vogla që duhet të fokusohemi pak më shumë./tvklan.al