Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Janë arrestuar dy autorët e pengmarrjes së Fajon Demirlikës, shpallur në kërkim katër ditë më parë. Gjergji Cukalli dhe Ledjo Lito fshiheshin në një fshat të Lushnjes, ku janë strehuar pas dështimit të pengmarrjes dhe arrestimit të bashkëpunëtorit të tyre Ilir Kodumi, i cili ra në kurthin e policisë tek shkonte për të marrë paratë e kërkuara.

Albert Dervishi: “Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në bazë të një plani operacional të hartuar me shumë kujdes, duke pasur parasysh dhe rrezikshmërinë që paraqisnin personat e lartpërmendur, forcat e komisariatit të policisë nr.3 të Tiranës dhe forcat e komisariatit të policisë së Lushnjes, kanë kryer operacionin në fshatin Grabian dhe rreth orë 06:00, u bë e mundur t’i vejë në pranga personat e mësipërm të kërkuar”.

Është arrestuar gjithashtu dhe Eduart Kukaj, personi që ndihmoi në strehimin e dy të kërkuarve. Ndërsa në momentin e ndalimit janë gjetur dhe armët me të cilën është realizuar dhe marrja peng, dy pistoleta dhe një automatik. Forcat policore kanë bllokuar dhe makinën BMË, me të cilë është kryer lëvizja e pengut nga rruga “Myslym Shyri” deri në periferi të Tiranës.

Prokuroria dhe policia po punojne më gjerë mbi afera kriminale të këtij grupi, si dhe shkaqe të konfliktit dhe marrjes peng të ish-mikut të tyre Fatjon Demirlikës.

Albert Dervishi: “Ka pasur lidhje shoqërore midis pengmarrësve dhe pengut Demirlika. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia gjyqësore po hetojnë pista të tjera për të cilat sërish do të bëhen publik në kohën e duhur”.

Pas arrestimit në orët e para të ditës, të dy pengmarrësve në kërkim, ministri Toska ka përgëzuar publikisht drejtorinë e policisë së Tiranës, për rezultate të mira në zbardhjen dhe arrestimin e autorëve të ngjarjeve që tronditën opinionin në ditët e fundit dhe kryesisht për rastin e pengmarrjes në fjalë./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj