Spanja zhgënjen në debutimin e saj në Ligën e Kombeve. Kampionët në fuqi të Europës dhe kompeticionit nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola në Beograd kundër Serbisë.

Pavarësisht yjeve në përbërje dhe 21 tentativave të iberikëve drejt portës kundërshtare, shifrat mbeten të pandryshuara nga ato të fillimit të sfidës, me dy kombëtaret që u kënaqen me nga një pikë. Barazim që jep shpresa për ballkanasit për të ardhmen në Divizionin A, pasi merr pikë kundrejt një rivali direkt për fitimin e grupit.

Granit Xhaka tradhtohet nga nervat duke i kushtuar shtrenjtë Zvicrës. Mesfushori me origjinë shqiptare u ndëshkua me karton të kuq në humbjen 2-0 që Helvetët pësuan kundër Danimarkës. Një 90 minutësh tepër i tensionuar në radhët e Zvicrës të cilët e përfunduan takimin me dy futbollistë më pak pas ndëshkimit me karton të kuq edhe të Elvedi.

Nga ana tjetër danezët e shfrytëzuan në maksimum për të regjistruan fitoren e parë në një ndeshje zyrtare që prej nëntorit të vitit të shkuar. Tre pikësh që e ngjit në krye të grupit A4, për të lënë pas Serbinë e Spanjën, teksa Zvicra rrezikon seriozisht rënien një divizion më poshtë në fund të kompeticionit.

Fitore me zemër e Polonisë në fushën e Skocisë. 3-2 ishin shifrat finale të kësaj sfide, me Robert Lewandowski që frymëzoi skuadrën për të marrë pikë të plota nga një transfertë tepër delikate. Sulmuesi i Barcelonës asistoi dhe më pas shënoi në këtë ndeshje për të lënë shenjën e tij.

Skocezët reaguan duke shënuar dy herë në fraksionin e dytë të lojës, teksa Polonia u rikthye në avantazh në limitet e shtesës pas penalltisë së fituar dhe shndërruar në gol nga Zalewski. Fitore që e ngjit Poloninë në vendin e parë në një grup ku gjendet edhe Portugalia e Kroacia.

Klan News