Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në policinë e Sarandës ka arrestuar oficerin e policisë së këtij rrethi, Ardit Hasanagën.

Pas denoncimit të ardhur nga Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, se ai ka ushtruar dhunë ndaj shtetasit Aristidh Gllucaj, nga Vlora.

Ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të rëndë prej 6 Nëntorit për shkak të plagëve të marra nga keqtrajtimi policor.

Fatmir Konja: “Pas kryerjes së hetimeve disa ditore drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të policisë, Ardit Hasanbegaj, i cili në bazë të një urdhri të lëshuar nga prokuroria u ndalua nga strukturat e shërbimit të kontrollit të brendshëm dhe tashmë gjendet i arrestuar në komisariatin e policisë Sarandë.”

Arrestimi i oficerit të policisë është kryer pas denoncimit publik që i bëri Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, këtij rasti ndërsa i kërkoi në mënyrë verbale prokurorisë nisjen e një procedimi penal për veprën penale të torturës.

Ermir Dobjani: “Avokati i Popullit i ka kërkuar verbalisht prokurorit të rrethit Sarandë fillimin e hetimit për veprën penale të torturës sipas nenit 86 të kodit penal ndaj oficerit të policisë gjyqësore Sarandë, Ardit Hasanaga dhe ka kërkuar për të hetime të shpejta, të drejta dhe objektive për të zbatuar parimin kushtetues se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Fushata e tolerancës zero në luftën kundër trafiqeve në asnjë rast nuk mund dhe nuk duhet të legjitimojë ushtrimin e torturës nga ana e policisë së shtetit shqiptar ndaj shtetasve shqiptarë.”

Përveçse e ka cilësuar si një shembull dhe një rast të paprecedent Avokati i Popullit ka shkuar më tej dhe me të tjera rekomandime drejtuar zyrtarëve më të lartë të legjislatimit, duke i cilësuar si ineficent përballë rasteve skandaloze të ushtrimit të dhunës nga ana e policisë. 

Ermir Dobjani: “Deri kur do të vazhdojnë këto shfaqje oportunizmi dhe mbrojtje të policëve nga prokurorët? Po gjyqtari i Sarandës pse nuk reagoi kur dy personat e rrahur u paraqitën në atë gjendje para saj? Po kur njëri prej tyre u këput para syve të saj pse nuk urdhëroi masat penale që ia lejon ligji ndaj autorëve të torturës? Të gjithë këto janë shkelje të hapura ligji nga prokurorët dhe gjykata e Sarandës. Del në dukje pyetja e përhershme që bëjnë shtetasit shqiptarë. Pse shkelin ligjet prokurorët dhe gjyqtarët dhe pse nuk ndëshkohen ata?”/tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani