Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, gjatë një takimi që pati me banorë të komunës Komsi në Mat kërkoi sërish mbështetjen e tyre në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Astrit Patozi: “Duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimet për besimin që ju i keni dhënë Partisë Demokratike ndër vite, për besimin që i keni dhënë Partisë Demokratike në vitin 2005 edhe në vitin 2007 ne kërkojmë më tepër mbështetje, sepse besoj që kemi shumë më tepër arsye sot për të votuar Partinë Demokratike sesa ç’kishim në vitin 2007. Kemi shumë më tepër arsye sot për të votuar Partinë Demokratike sesa ç’kishim në vitin 2005, sepse në vitin 2005 ne kishim shpresën që ky vend duhet të ndryshojë. Tani nuk kemi më shpresën, kemi bindjen që ky vend po ndryshon dhe që ky vend mund të ndryshojë akoma dhe më shumë për mirë në katër vitet e mandatit tonë të dytë qeverisës.”

Patozi i bindur në fitoren e Partisë Demokratike dhe koalicionit të gjerë që ajo udhëheq shtoi gjithashtu se akoma më shumë do të bëhet në katër vitet e ardhshme.

Sigurinë në fitore Patozi e mbështeti dhe tek gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhet opozita socialiste sot./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe