Pa hyrë ende mesnata, qyteti i vogël i Memaliajt është tronditur nga një krim i rëndë. 3 të vdekur dhe një i plagosur është bilanci i atentatit. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:20, shumë pranë bashkisë dhe komisariatit të Policisë.

Nga një mjet BMV ngjyrë e zezë ka zbritur një person me maskë dhe i është afruar tavolinës së një lokali. Ai ka hapur zjarr me breshëri automatiku duke lënë të vdekur në vend: Shyqyri Kalemin 74 vjeç, Gledian Mukën 36 vjeç, kamerieri i lokalit dhe Marsel Çela 47 vjeç, i cili i ndodhej në një tavolinë ngjitur.

Nga breshëria e plumbave ka mbetur i plagosur Artur Kalemi, i cili së bashku me vëllain e tij, ishin duke pirë kafe në këtë tavolinë që shihni në pamje. Në atentat dyshohet se kanë marrë pjesë 3 persona ndërsa objektiv ka qenë 74-vjeçari Shyqyri Kalemi.

30 minuta pas krimit, në fshatin Bejaj të Mallakastrës u gjet i djegur mjeti i autorëve, brenda të cilit ishin dhe armët. Klan News ka mësuar se flakët kanë përfshirë dhe një ndërtesë të pabanuar aty pranë.

Në qytetin e Memaliajt shkuan dhe forcat RENEA, që kanë ngritur postblloqe të shumta. Forcat e policisë janë të përqendruara në aksin Levan – Tepelenë. Hetuesit kanë sekuestruar disa kamera për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.

Banorët e Memaliajt janë shprehur të tronditur për këtë ngjarje të rëndë.

Klan News