Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i atentatit tek Kartodromi i Tiranës. Fatmir Rama pronar i lokalit, i njohur ndryshe dhe si Miri i Xhikes dhe Julian Durishti, punonjës në këtë lokal, kanë mbërritur pa jetë në Spitalin Ushtarak. Në regjistrin e këtij spitali shënohen si të plagosur rëndë, në gjendje reanimative dhe Kristiaq Cami dhe Flamur Rrapaj.

Deri tani bëhet i ditur vetëm fakti, që viktima kryesore Rama, po shikonte ndeshjen Shqipëri-Rusi, në katin e dytë të restorantit, ku në moment ndodhej dhe disa shokë të tij dhe punonjës të lokalit. Të shtënat kanë ardhur nga jashtë dhe shënjestra ka qenë pikërisht i njohuri si Miri i Xhikes, ndërsa breshëria e armës kallashnikov, nuk ka kursyer as të tjerë të pranishëm.

Nga të dhëna të policisë bëhet e ditur se është qëlluar nga një armë e vetme, ndërsa me atentatorin ka qenë edhe një person tjetër. Momenti i vrasjes ishte zgjidhur orari në përfundim të ndeshjes, moment që dhe rojet e lokalit dhe vetë personat që janë qëlluar ishin të përqendruar në ndjekjen e saj.

Policia ka marrë në pyetje një nga personat që ka qenë në tavolinë me viktimën, ndërsa dy të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë dhe për momentin asnjë nga mjekët e reanimacionit në Spitalin Ushtarak, nuk deklaron diçka në lidhje me gjendjen e tyre shëndetësore. Nga burime policore bëhet e ditur se atentatori mund të ketë qenë vrasës me pagesë, ndërsa atentati i përgatitur prej kohësh.

Vrasja mendohet se ka të bëjë me përplasje të hershme dhe se është në serinë e disa atentateve. Deri tani, policia nuk ka bërë zyrtare motivet apo autorët përgjegjës për krimin. Një ditë pas ngjarjes familjarë dhe të afërm, kanë përcjellë për në banesën e fundit dy viktimat, që u ekzekutuan në lokalin e njohur si Kartodromi i Tiranës.

Sipas burimeve policore, pas kontrolleve në afërsi të vendngjarjes është gjetur edhe arma e krimit, e cila do t’i nënshtrohet ekspertizës me qëllim gjetjen e ndonjë gjurme./tvklan.al