Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Fatos Klosi, ish-kryetari i SHISH merret si i pandehur nga prokuroria me akuzën shpërdorim detyre. Brenda dy ditëve, Klosi paraqitet dy herë në organin e akuzës, ku ka deklaruar në lidhje me kompetencat për përdorim të fondit rezervë, në institucionin që ai drejtonte. Klosi është shprehur pas marrjes si i pandehur, se ligji i njihte atij të drejtë të vepronte direkt në disa raste të veçanta, por prokuroria ka konsideruar 15 raste, si shpërdorime me një dëm të konsiderueshëm ekonomik. Vepra për të cilën akuzohet ish-kreu i SHIK-ut, dënohet nga gjobë deri në 7 vjet heqje lirie.

Departamenti Amerikan i Shtetit kritikon Shqipërinë, për nivelin e ulët të respektimit të të drejtave të njeriut. Në raportin vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë thuhet, se Shqipëria mbetet vend origjine dhe transiti, për trafikimin e qenieve njerëzore. Ndërsa theksohet se korrupsioni sfidon drejtësinë dhe policinë, ndaj të cilave ushtrohet presion dhe nga politika. Raporti përmend raste të përdorimit të torturave dhe shkeljes së të drejtave thelbësore të njeriut.

Zyra antitrafik në Durrës arriti të arrestonte gjatë kësaj jave pesë persona, anëtarë të rrjeti me trafikant fëmijësh. Ndërkohë në të njëjtën orë me arrestimet dhe kontrollet në Shqipëri, bëhet i mundur dhe ndalimi i kreut të SHIK-ut në portin e Durrësit, i cili ndodhej ndërkohë në Itali. Policia italiane vuri në pranga dhe dy shtetas të tjerë shqiptarë dhe një avokat italian. Mendohet se deri tani janë trafikuar nga ky rrjet dhjetëra fëmijë dhe fati i tyre nuk dihet.

Kristaq Cami, i njohur ndryshe si Taqi i Majes shënon viktimën e tretë në Kartodromin e Tiranës. Ai vdiq në reanimacionin e Spitalit Ushtarak disa ditë më pas atentatit. Për këtë ngjarje ku mbetën pa jetë Fatmir Rama, Julian Durishti dhe Kristaq Cami është prononcuar gjatë kësaj jave dhe kryeprokurori Sollaku.  Sipas tij pistat e hetimit janë dis dhe mbeten të hapura, ndërkohë që policia bëri të ditur se në Itali po analizohet kampioni i gjakut të vrasësit.

Një vrasje e tipit atentat ka goditur fshatin Bodullë në rrethin e Krujës. Rreth orës 9 të mbrëmjes, një person i panjohur ka goditur me breshëri automatiku një shtetas me emrin Sulejman Minja, i cili ka mbetur menjëherë pa jetë. Plumbave u ka shpëtuar bashkëshortja e tij, e cila ndodhej aty, ndërsa policia ka filluar hetimin për zbardhjen e autorëve të ngjarjes./tvklan.al