Lajme Arkiva – TV Klan 2003

“T’ua kthejmë Durrësin qytetarëve”. Nën këtë moto, kandidati i PD për bashkinë e Durrësit Avni Hoxha pretendon të fitojë zgjedhjet e Tetorit. Biznesmeni Hoxha në konferencën për shtyp të PD dega Durrës, u prezantua si kandidat i përbashkët i spektrit të djathtë.

Avni Hoxha:- “Unë kam besim, se rizgjimi i qytetit ka filluar me rritjen e angazhimit të qytetarëve për të përdorur zgjedhjet si mjet ndëshkimi, ndaj atyre që degraduan qytetin, ndaj atyre që degraduan zgjedhjet, ndaj atyre që degraduan biznesin dhe krijuan monopole, si dhe ndaj atyre që duan të degradojnë përfundimisht të drejtën e qytetarëve për të vendosur për të ardhmen e tyre. Mendoj se tani ka ardhur koha t’i japim fund kësaj krize dhe të fitojmë”.

Programi i kandidatit Hoxha parashikon zbatimin e projektit për portin e madh të Durrësit, si dhe zhvillimin e turizmit. Tre janë avantazhet e fitores së kandidatit Hoxha, sipas kryetarit të PD Edmir Kapidani. Së pari drejtimi analfabet i bashkisë së Durrësit nga PS, së dyti programi i PD dhe së treti, vizioni i suksesshëm i kryeinxhinierit Avni Hoxha./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj