Lajme Arkiva 2003

Të akuzuarit e grupit “Hakmarrja për drejtësi” duhet të shpallen të pafajshëm. Këtë kërkesë ia drejtuan avokatët mbrojtës trupit gjykues të çështjes në seancën e parafundit të saj. Avokat mbrojtës të dhjetë të pandehurve në mungesë i paraqitën pretendimet e tyre në një bllok voluminoz .

Prokuroria i ka akuzuar ata për 24 vepra penale ndër të cilat edhe ajo e vrasjes së drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshi dhe personave të tjerë, rrëmbim personi, vjedhje e bankave me armë, akte terroriste, ndër të cilat edhe vendosja e autobombës te ish supermarketi Vefa etj.

Të gjithë të pandehurit janë arratisur nga burgu gjatë trazirave të vitit ’97, njëri prej tyre vdiq gjatë një atentati. Procesi “Hakmarrja për drejtësi” ka mbi 4 vite që shqyrtohet në gjykatë dhe në seancën e kaluar prokurorët kërkuan tërheqjen e dosjes për rihetim, por kjo u kundërshtua së fundmi nga mbrojtja e të akuzuarve.

Madje në dhjetor të vitit të kaluar ata i kanë paraqitur prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku një material prej 10 faqesh, për ta bindur atë se akuza nuk ka mundur të vërtetoj veprat penale ndaj klientëve të tyre.

Tashmë trupi gjykues i kryesuar nga Artur Gaxhi, pritet të japë në ditët e ardhshme vendimin nëse kjo çështje do të rikthehet nga e para për hetim në prokurori ose jo./tvklan.al