Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në policinë e shtetit nuk do të mbijetojnë elementë të paaftë, të korruptuar, apo të dyshimtë. Kështu ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i policisë Bajram Ibraj, menjëherë pas prezantimit të shefes së re të komisariatit të policisë në portin e Durrësit.

Zana Lushku, ish-pedagoge e frëngjishtes, e specializuar më pas në një shkollë të policisë franceze, ka zëvendësuar në detyrë ish-shefin e këtij komisariati Edmon Kule, i cili është emëruar në një tjetër detyrë në policinë e Rrogozhinës. Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm Bajram Ibraj paralajmëroi lëvizje të tjera në strukturat e policisë së qytetit bregdetar.

Bajram Ibraj:- “Ka pasur lëvizje dhe do të ketë edhe lëvizje të tjera, pasi të gjitha gjërave ne do t’i shkojmë deri në fund”.

Ndërsa  pyetur për operacionin “Rrjeta e hekurt”, Ibraj konfirmon faktin, se ai vazhdon dhe se gjithçka do të kompletohet me përmirësimin e kuadrit ligjor dhe hartimin e ligjit antimafia. Prezantimi i shefes së re të komisariatit të portit u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat./tvklan.al