Nedim Bajrami ishte para gazetarëve këtë të shtunë për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Mesfushori tha se Spanja, kundërshtari i Shqipërisë në ndeshjen e fundit të grupeve në Euro 2024, ka shumë kualitete dhe nuk ka rëndësi nëse luajnë rezervat apo jo. Ai u shpreh se kuqezinjtë duhet të futen me mentalitetin e duhur dhe të jenë më konkretë para portës.

“Besoj se me Italinë e patë vetë që e filluam vetë, edhe vetë nuk e pritëm që filloi aq mirë, por pastaj Italia shënoi dy gola. Me Rey Manajn në fund e parëm atë rastin. Futbolli është kështu. Me Kroacinë bënë një ndeshje të bukur që luftuam të gjithë deri në fund dhe pamë që jemi akoma atje. Me Spanjën e dimë të gjithë që është një skuadër shumë e fortë, kanë të gjithë kualitet. A luan skuadër e parë, a luan skuadër e dytë, a bën ndonjë ndryshim, atë nuk e di unë. S’ka rëndësi kush do lozë nga Spanja sepse të gjithë kanë kualitet, ne duhet të fokusohemi tek loja jonë, tek kualitetet tona dhe të bëjmë përpara. Ne duhet me u fut në ndeshje me dhënë maksimumin. Normal që na duhet një fitore, por ato rastet që na vijnë në ndeshje duhet me bërë gol ose me dhënë maksimumin sepse jemi duke luajtur në një nivel internacional dhe nuk kemi aq shumë raste si Spanja. Duhet të jemi më konkretë para portës”, tha ai.

Bajrami zbuloi edhe çfarë bisedoi me trajnerin Silvinjo para ndeshjes me Kroacinë në lidhje me rolin e tij.

“Më Italinë luajta mesfushor, me Ramadanin dhe Asllanin. Me Kroacinë luajta në krah. Fola dhe me Silvinjon, më pyeti a mund të luaj në atë pozitë. Thashë po sepse për mua nuk ka rëndësi a luaj në krah apo luaj mesfushor, sepse më pyet trajneri unë jap maksimumin për skuadrën”, tha Bajrami.

Por çfarë pozicioni do të luajë Bajrami të hënën?

“Jam gati për të dyja pozitat, nuk ka rëndësi ku më fut trajneri. E vendos trajneri, unë do jap maksimumin aty ku më fut ai”, tha ai./tvklan.al