200 km rrugë kryesore të vendit do të monitorohen me kamera dhe radarë. Sipas ministrit të Brendshëm Taulant Balla kjo do të bëhet për të garantuar një nivel më të lartë sigurie në vend.

“Të paktën në këto 200 km që janë më të frekuentuara të mos kemi ato postblloqet policore të cilat në shumë raste nuk është se janë gjëja më e mirë, tregon një mungesë të zhvillimit”.

Në një aktivitet për Promovimin e Udhëzimit të Shkollave të Sigurta, Balla njoftoi se po punohet për vëzhgim me kamera në 19 qytetet më të mëdha të vendit, sidomos në rrugët që çojnë fëmijët në shkollë.

“Për mua, për qeverinë dhe Kryeministrin Rama ky është një dimension tepër i rëndësishëm i garantimit të sigurisë”.

Balla paralajmëroi rritje të penaliteteve për shoferët që shkelin normat e qarkullimit rrugor pranë shkollave.

“Kur i parakalon në mënyrë të papërgjegjshme mikrobusin apo autobusin e fëmijëve që shkojnë në shkollë nuk mund të penalizohesh njësoj, duhet të jetë dyfish më i fortë”.

Që nga nisja e paketës së sigurisë në shkolla janë ndaluar nga Policia e Shtetit mbi 1100 shpërndarës lëndësh narkotike.

Tv Klan