Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas debateve në Kuvendin Shqiptar për mënyrën e legalizimit, banorët e zonave ku është ndërtuar pa leje zyrtare, e shohin me shumë dyshim zgjidhjen e problemit të tyre. Mjaft familje kërkojnë nga shteti të jetë rregullatori i legalizimit të trojeve dhe nuk janë dakord të paguajnë për ish pronarët, pasi shumë prej tyre edhe këtë truall që e kanë pa leje, e kanë blerë më parë nga persona pa dokumentacion, por zotërues të tokës.

Banorja: “Ka 7 vjet që e kemi ble këtë tokën me pare, tani…”

Gazetarja: Nga kush e keni blerë?

Banorja: “Nga një njeri që jeton këtu afër, një kuksian”.

Gazetarja: Po me letra e keni?

Banorja: “Jo s’ka letra, e kemi ble kështu, thjesht për të ardh në Tiranë edhe ne, për t’u bashku me të tjerët”.

Gazetarja: Tani po krijohet, po bëhet ligji për legalizimet, pra që ju të jeni pronarë të trojeve që keni, a keni dëgjuar për këtë?

Banorja: “Kemi dëgjuar, po!”

Në Bathore banorët shprehen se nuk kanë më dëshirë t’u kthehen revoltave, por nëse problemi i legalizimit do të vazhdojë të zvarritet, shumë shpejt shprehen ata, do të ketë edhe protesta të tjera.

Banori: “Jam dakord që legalizimet të bohen ashti siç janë për t’u bo, brenda rregullave, brenda ligjeve, ne qoftë se kemi për t’iu përgjigj dikujt ne do t’i përgjigjemi, por ne mendojmë se do të përgjigjemi vetëm nëpërmjet shtetit. Shteti le t’i rregullojë marrëdhëniet me njerëz që kërkojnë edhe pretendojnë”.

Në lidhje me çmimin për metër katror, që është parashikuar në projektligj për t’u paguar për legalizime, sot ka reaguar edhe Partia Demokratike.

Ilir Rusmali: “Tokën bujqësore që kanë zënë, qeveria kërkon t’ua shesë me nga 100-300 dollarë m2, me çmimin e tregut të trojeve urbane të kategorisë së parë. T’u kërkosh shqiptarëve sot të paguajnë për legalizimin, nga 30 mijë deri 50 mijë dollarë, do të thotë që legalizimi të mos kryhet kurrë”./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj