Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Banorët protestues të zonës së Unazës së Re, kanë bllokuar sërish rrugën. Pasi i kanë vënë flakën disa gomave makinash, shumë prej tyre janë ulur këmbëkryq në rrugë duke mos lejuar asnjë makinë të lëviz në këtë aks. Ata kanë këmbëngulur në kërkesën e tyre për mosprishjen të ndërtimeve nga policia bashkiake, derisa të miratohet në parlament ligji për legalizimin e zonave informale.

Banori: “Ne nga puna na hoqën, jemi pa punë, ne kemi këtu që në 92, njeri s’ka ardhur, si shkelje administrative që kemi bërë të na ndalojë, të na gjobisë dhe të na parandalojë dhe e fundit fare, ligji ka fuqi prapa vepruese, me ç’të drejtë sot më dënon mua ti për një aktivitet që ti më ke lejuar, më ke stimuluar. Sot kujtohet shteti pas 12 vjetësh thotë, je i paligjshëm. Ku je o shtet, ku ke qenë deri tani?’

Banorët e kanë mbajtur rrugën e bllokuar për rreth një orë dhe më pas kanë vendosur të shpërndahen vetëm pasi kanë negociuar me policinë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka