Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist Bardhyl Agasi, sqaroi se partia qeverisëse nuk kërkon zgjedhje të parakohshme, por ato vijnë si rezultat i krizës brenda mazhorancës provokuar nga kundërshtarët brenda dhe jashtë PS.

Bardhyl Agasi: “Në qoftë se vërtetë do të ketë mungesa të votave në parlament dhe të mos gjejmë miratimi i ligjeve, atëherë kriza parlamentare do të çojë në zgjedhje të parakohshme, por PS është për zgjedhjet e 2005. Kam besim edhe tek forcat aleate, kam besim, megjithëse ka deklarime tashmë për një forcë të re politike të dalë nga gjiri i PS, unë prapë shikojë hapësira që mund të arrihet edhe bashkëpunimi”.

Agasi shprehet, se partia qeverisëse është e gatshme të përballojë zgjedhjet e parakohshme.

Bardhyl Agasi: “Partia Socialiste është e gati kurdoherë”.

Edhe për alternativën tjetër brenda socialistëve, sfida e zgjedhjeve të parakohshme nuk është problem, krahasuar me qëllimin final të integrimit të Shqipërisë, por sipas kundërshtarëve të kryeministrit Nano, kjo deklaratë provokon vetëm partinë qeverisëse.

Duke përfituar nga zhvillimet e fundit politike, Lëvizja Socialiste për Integrim synon të shtrijë aleancat brenda kampit të majtë.

Petrit Vasili: “Dhe partitë e tjera aleate, janë në një moment të fortë reflektimi dhe përcaktimit të qartë të pozicioneve të tyre të reja në raport me ngjarjet më të fundit politike. Ne mendojmë që ky reflektim i gjithë kahshëm, i të gjithë komponentëve politikë do përcaktojë dhe format dhe mënyrat e bashkëpunimit”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj