Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Refuzimi i partive të vogla për pjesëmarrjen në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore, që mund të çojë edhe në dështim të komisionit, nuk do të frikësonte Partinë Socialiste edhe nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme.  

Sekretari për marrëdhëniet me publikun në PS Bardhyl Agasi, shpjegon se dy forcat e mëdha politike duhet të bindin aleatët e tyre, se ligji për komisionin ka përcaktuar një pjesëmarrje të barabartë pozitë-opozitë, ku nënkupton pjesëmarrje dhe të forcave aleate nga të dyja palët.

Bardhyl Agasi: “Partia Socialiste është e përgatitur që kurdo që të ndodhin zgjedhjet, ato të fitojnë përsëri mandatin socialistët. Nuk është më një komision thjesht bipartizan, por është me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike dhe natyrisht vendimmarrja kërkon patjetër veton e çdo force të madhe politike”.

Pikat që kundërshtojnë partitë e vogla, se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste duhet të kenë të drejtën e vetos në vendimmarrje nuk mund të shmanget, pasi kjo  nuk do të sillte kontestimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, shprehet Agasi, nga të dyja forcat e mëdha, pasi kanë elektoratin më të madh.

Komisioni do të marrë formësimin e plotë në seancën e parë të javës së ardhshme, duke miratuar edhe përbërjen e tij./tvklan.al