Qeveria shqiptare do të aplikojë së shpejti  për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha në bashkëbisedimet me banorë të Komunave Gostim, Klos dhe Mollas të Elbasanit. Ministri Basha ka theksuar se, me të njëjtin vullnet  që kjo qeveri bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, do të bëjë të mundur afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Basha tha gjithashtu se, brenda një viti qytetarët shqiptare do të lëvizin pa viza nëpër Evropë.

Lulzim Basha “Së shpejti qeveria shqiptare, kryeministri Berisha personalisht do të aplikimin zyrtar për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ju them këtyre të rinjve dhe gjithë qytetarëve këtu që brenda 12 muajve, me pasaportë shqiptare, pa vizë, do të lëvizin në hapësirën Shengen”.

Ministri Basha foli gjithashtu edhe për reformat dhe luftën kundër krimit e korrupsionit, duke thënë se sukseset e shënuara në këtë drejtime bënë të mundur dyfishimin e pagave e pensioneve dhe shndërrimin e Shqipërisë në një kantier ndërtimi. Në këtë kontekst ai tha se me të njëjtin vullnet do të vijohet edhe në katër vitet e ardhshme.

Lulzim Basha: “Me besimin që na dhatë dhe me këto që arritëm, duhet të na besoni se pensionet e fshatit që keni sot do të dyfishohen mandatin që vjen.”

Shefi i diplomacisë shqiptare ka kërkuar që qytetarët shqiptarë, para se të vendosin se kujt do t’i besojnë fatin e tyre në katër vitet e ardhshme, të reflektojnë ku ishin dhe ku janë./tvklan.al