“Manifest personal i Sali Berishës, jam në krye të detyrës”

Lulzim Basha nuk i njeh vendimet e Kuvendit Kombëtar të thirrur nga anëtarësia, përfshi edhe atë për shkarkimin e tij nga detyra. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë ai theksoi se të gjitha forumet partiake janë në detyrë dhe do vazhdojnë të përmbushin detyrimet statutore.

“Sigurojmë çdo demokrat se të gjitha institucionet e Partisë Demokratike, duke nisur nga Këshilli Kombëtar, Kryesia dhe Kryetari vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, në përmbushje të përgjegjësive dhe në shërbim demokratëve dhe gjithë shqiptarëve”.

Duke e konsideruar ditë të keqe për Partinë Demokratike, ai tha se Kuvendi i mbajtur këtë të shtunë ishte përpjekja e fundit e Sali Berishës për të marrë peng demokratët.

“31 vjet pas themelimit të Partisë Demokratike, ne u bëmë dëshmitarë të një manifestimi personal të Sali Berishës për t’ju kundërvënë SHBA. Ne i bëjmë të ditur çdo demokrati që sot është shqetësuar nga kjo shfaqje e shëmtuar anti-amerikane e Sali Berishës se kjo ishte përpjekja e fundit, e dëshpëruar dhe e turpshme e tij për ta marrë peng Partinë Demokratike dhe për ta përdorur atë si bunker për hallin e tij”.

Ai i akuzoi organizatorët e Kuvendit të 11 dhjetorit si falsifikatorë dhe shpërdorues të funksioneve dhe simboleve, ndërsa i paralajmëroi ata se për këto veprime do të përballen edhe ligjërish. Ndërkohë që për shkeljet statutore të kryera nga disa prej anëtarëve me organizimin e këtij Kuvendi, Basha bëri të ditur se Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur thirrjen Këshillit Kombëtar ku do të votohet propozimi për shkarkimin e Edi Palokës si kryetar i këtij këshilli dhe disa anëtarëve të kryesisë.

“Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur: Thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër, e diel, më 12 dhjetor 2021 ora 15:00, me këtë rend dite: 1.Miratimi i një Rezolute lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga veprimtaria anti-statutore që dëmtojnë rëndë interesat politike dhe elektorale të PD. 2. Miratimin e propozimit të Kryesisë për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa anëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të Statutit të PD dhe vendimit të Kryesisë të datës 15 Nëntor”.

Kryesia vendosi gjithashtu shkarkimin nga detyra të disa kryetarëve të degëve të cilët morën pjesë në Kuvendin e thirrur nga delegatët. Në mbledhjen e kryesisë që zgjati afro 4 orë munguan një numër shumë i madh anëtarësh, të cilët morën pjesë në Kuvendin e kësaj të shtune.

Tv Klan