Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur në një takim, zyrtarin e lartë të DASH, Gabriel Escobar. Në përfundim të takimit, Basha pati një prononcim për mediat ku tregoi se për çfarë ka diskutuar me Escobar.

Basha thotë se ka diskutuar me zv/ndihmës sekretarin e shtetit për të gjitha çështjet e aktualitetit politik shqiptar, por edhe për situatën në rajon, në veçanti Kosovën. Basha thotë se i ka bërë të ditur Escobar qëndrimin e PD-së për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës, qëndrim që u mbështet nga zyrtari i lartë.

Po ashtu Basha njofton se ka diskutuar për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e reformave, ku sipas kreut të PD, kyç mbetet një drejtësi e pavarur që nuk i mbron, por ndëshkon politikanët e korruptuar.

Lulzim Basha: Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres sot në ditën ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit, përfaqësuesin e Lartë të shteteve të  Bashkuara të Amerikës zotin Escobar. Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si një interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe më shumë interes Kombëtar i Shqipërisë. Është ajo për të cilën Partia Demokratike, ka luftuar dhe është përpjekur më shumë se gjithçka tjetër në këto 8 vite. Që nga iniciativat tona për dekriminalizimin e politikës, tek miratimi i ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi sipas përcaktimeve të Venecias, me insistimin e Partisë Demokratike, tek ligji për SPAK-un dhe BKH-në, po kështu të miratuara me iniciativën dhe ndryshimet Kushtetuese dhe ligjore të Partisë Demokratike dhe mbështetjen amerikane, tek iniciativa jonë për Vettingun e politikanëve për të pastruar politikën nga krimi i organizuar, të gjitha këto dëshmojnë se Partia Demokratike ka qenë, është dhe mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit, që është kyçi për zgjidhjen e gjithë problemeve që ka Shqipëria sot. Nga demokracia e plagosur rëndë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, tek sundimi i ligjit dhe dhënia fund të pandëshkueshmërisë dhe siç e kemi parë tashmë me një hap të shpallur, siç është ai i sanksioneve siç edhe ai ndaj individëve dhe kompanive që mbështesin politikanët e korruptuar në Kosovë, edhe sa i përket pra midis politikanëve të korruptuar, oligarkëve dhe krimit të organizuar.

Prioritetet e Partisë Demokratike kanë qenë këto, betejat e Partisë Demokratike kanë qenë këto dhe është kënaqësi e jashtëzakonshme që të shohim një rikthim të fuqishëm si prioritet të parë dhe kryesor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan dhe në Shqipëri, të një beteje që e kemi luftuar për vite me radhë. Me zotin Escobar, diskutuam për të gjitha çështjet e aktualitetit politik shqiptar, natyrisht edhe për situatën në rajon, me theks të veçantë, sigurisht për ato çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe në veçanti me Kosovën. Ku ia bëra të qartë zotit Escobar, qëndrimin e Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës. Në përputhje me përkushtimet e ndërmarra sipas paketës Ahtisari që çojnë në pavarësinë e Kosovës dhe në përputhje me angazhimet që të gjithë shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë në raport me integritetin territorial të saj. Jam i kënaqur t’iu raportoj se në këtë qëndrim që paraqita kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të zotit Escobar. 

Diskutuam padiskutim edhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e reformave ku kyç mbetet një drejtësi e pavarur që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar. Natyrisht ku e dini që këtu Partia Demokratike ka disa iniciativa kushtetuese dhe ligjore duke përfshirë vettingun e politikanëve dhe shumë shpejt ashpërsimin e dënimit të politikanëve të zgjedhur me votat e krimit si një hap i parë për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri./tvklan.al