Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve, për 82-vjetorin e Konferencës së Pezës. Kryebashkiaku theksoi se ngjarje të tilla janë një dëshmi e historisë se kur shqiptarët bëhen bashkë mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme.

“Ashtu siç thoshte Konferenca e Pezës, përtej çdo dallimi, përtej çdo krahine, përtej çdo feje, përtej çdo ideje, jemi shqiptarë, jemi bashkë dhe kur bashkëpunojmë ne bëjmë gjëra të mrekullueshme. Jam shumë krenar që, jemi këtu sot së bashku me qytetarët, familjet e dëshmorëve, familjet e veteranëve dhe të gjitha familjet e të rënëve”.

Në mesazhin e tij, Veliaj bëri një apel për bashkim, duke lënë pas ndasitë politike kur bëhet fjalë për punë që çojnë përpara zhvillimin e vendit.

“Për sa i përket shumicës e mazhorancës sonë, ne i kemi zemrën, mendjen dhe krahët të hapur për këdo që do të punojë për Shqipërinë evropiane, për vizionin 2030, për Tiranën tonë të mrekullueshme. Shpresoj shumë që amanetin e Babë Myslymit, për ta pasur këtë vend një nuse të vërtetë në Evropë, e kemi afruar sadopak pranë këtij vizioni e këtij qëllimi”.

Sipas kryebashkiakut, pas ceremonisë zyrtare në Varrezat e Dëshmorëve, dita në Pezë do të vijojë me aktivitete për fëmijë e të rritur.

Tv Klan