Kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë çdo dyshim, duke rikonfirmuar ambicien e qeverise që drejton se vendi të paraqesë kandidaturën për në BE brenda muajit qershor të këtij viti. Lajmi është konfirmuar për agjencinë franceze AFP, ku kryeministri ka shprehur qartë qëndrimin e qeverisë, që duket merr në konsiderate  dhe ngurrimin e disa vendeve europiane për shkak të krizës ekonomike. Ja çfarë shkruan AFP referuar këtij momenti duke cituar kryeministrin Berisha:
Shqipëria parashikon të paraqesë kandidaturën për në BE deri në fund të qershorit, edhe pse kriza ekonomike dhe të panjohurat rreth ratifikimit të traktatit të Lisbonës nuk janë të favorshme për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Shqipëria mori dritën jeshile “në parim” nga presidenca çeke e Bashkimit Evropian për gjashtëmujorin e parë të vitit, për të paraqitur kandidaturën e saj deri në fund të qershorit, por asnjë datë nuk është caktuar ende. Ramë dakord për të paraqitur kërkesën”.

Por në këtë pike agjencia franceze e lajmeve, citon Komisionari evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, i cili ka thënë së fundmi se zhvillimi i mbarë  zgjedhjeve parlamentare , konform standardeve evropiane, është për Brukselin thelbësor dhe prioritar, përpara se Shqipëria të përparojë drejt perspektivave të saj evropiane gjë që nënkupton aplikimin për statusin. Por kryeministri Berisha ka kujtuar në këtë pike se zgjedhjet në Shqipëri, që prej rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, gjithmonë kanë lënë vend për kontestime dhe incidente mes grupimeve politike rivale. Dhe si përgjigje më të mirë ndaj kësaj kryetari i qeverise ka theksuar ligjin e ri elektoral që pritet sipas tij të bëjë të mundur shmangien e manipulimeve të ndryshme. Ja çfarë thotë më tej kryeministri Berisha:

“Një ngadalësim i vrullit të zgjerimit “rrezikon të shkurajojë opinionin publik” që në Shqipëri është shprehur në shumicën dërrmuese për anëtarësimin në BE. Por besojmë se BE-ja do të dijë të vlerësojë “përpjekjet tona” veçanërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vitin 2005, ky vend mbizotërohej nga krimi i organizuar. Qytete, fshatra, rrethe të tëra ishin një lloj protektorati i krimit të organizuar. Ky i fundit kontrollonte doganat, pikat e kalimit kufitar, portet. Sot, më tepër se një mijë kriminelë, që fshiheshin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në hotelet me pesë yje në metropolet evropiane i janë dërguar drejtësisë.”

Në përfundim të intervistës në frëngjisht për AFP, kryeministri Berisha ka folur dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në samitin e muajit prill. Berisha e cilësoi si ngjarjen më të madhe për vendin qe pas pavarësisë nga perandoria otomane, në vitin 1912.  “Është një ëndërr që po bëhet realitet”, citohet të këtë thënë kryeministri duke siguruar se pas kësaj vendi është “i hapur” për çdo gjë që mund t’i kërkonte Aleanca Atlantike./tvklan.al