Kosova do të ketë një dalje në det përmes Shqipërisë në portin e Shëngjinit.  Tre ministra kosovar ai i Transporteve, Fatmir Limaj, i ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala dhe  Lutfi Zhargu ministër i Tregtisë dhe Industrisë, i kanë dorëzuar kryeministrit Berisha një letër të homologut Hashim Thaçi, përmes së cilës qeveria e Prishtinës kërkon krijimin një grupi të përbashkët ndërministror, ndërtimin e një porti në Shqipëri me destinacion Kosovën.

Kreu i ekzekutivit shqiptar e mirëpriti kërkesën duke u shprehur se Shqipëria është e gatshme që t’i akordojë Kosovës një port për të plotësuar nevojat e saj dhe dalja në det për Kosovën do të jetë Shëngjini. Gjë të cilën kryeministri Berisha i kishte premtuar që në maj të vitit 2006 gjatë një vizite të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës Agim Çeku.

Sali Berisha:E sigurova se ai port do të jetë në dispozicion të Kosovës, Kosova ka lidhje me detin nëpërmjet Selanikut pra vendet mike.”

Gjatë takimit mes kryeministrit Berisha dhe ministrave të qeverisë së Prishtinës u diskutua mb zgjerimin e mundshëm të këtij porti për të ofruar kapacitetet e nevojshme për shtetin e Kosovës dhe për këtë pala kosovare u sh0preh e gatshme për të investuar. Shfrytëzimi i kësaj dalje në Adriatik merr një tjetër rëndësi të veçantë me ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, e cila po shkon drejt përfundimit.

Kjo vepër do të  shkurtojë ndjeshëm distancën mes Prishtinës dhe do të rrisë gjithashtu edhe shkëmbimet tregtare mes të dy vendeve. Ky projekt vjen në vazhdën e bashkëpunimeve të ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës, e në këtë frymë ministrat kosovar kanë kërkuar krijimin një rrjeti të përbashkët të kontrollit doganor për të eliminuar burokracinë në lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.

Gjithashtu delegacioni kosovar i shprehu kryeministrit falënderime dhe për prioritetin dhe vlerësimin e lartë që ai i dha projektit aq të rëndësishëm për Kosovën për të dalë në detin Adriatik si dhe i shprehin edhe një herë mirënjohjen për kontributin personal të tij në pavarësinë e Kosovës që pati ditëlindjen e saj ara pak ditësh. Me këtë rast ata i dorëzuan kryeministrit Berisha një dhuratë të veçantë të kryeministrit Thaçi, një bust bronzi të artistit kosovar Luan Mulliqi me titullin “Kjo tokë ka zot” që pasqyronte komandantin legjendar Adem Jashari.

Gjatë ditës ministrat Limaj, Shala e Zhargu u pritën në një takim të veçantë edhe nga presidenti i republikës Bamir Topi./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro