Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë shënojnë një fazë të re falë garancisë që ofrojnë për këtë dy kryetarët e qeverive si dëshmie e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe janë dhe 3 vizitat e njëpasnjëshme të kryeministrit të Shqipërisë në Kinë brenda një periudhe 9 mujore. Takimi i kryeministrit Berisha me homologun Ven Zhiabao, vuri theksin kryesisht në aspektin ekonomik.

Berisha përfitoi nga rasti të garantojë lehtësi për biznesin kinez i interesuar të investojë në vendin tonë. Aktualisht 2 korporata të mëdha kineze ZTE dhe Huauei operojnë me sukses në Shqipëri një fakt që u përmend dhe nga kryeministri Berisha. Berisha theksoi se Shqipëria është një vend i sigurt tashmë edhe falë anëtarësimit në NATO, kryeministri ftoi homologun kinez të kontribuojë në inkurajimin e biznesit të vendit të tij për të investuar në Shqipëri, një kërkesë që u mirëprit nga homologu Ven Zhiabao.

Sali Berisha: “Konstatoj një ndryshim real 2 vitet e fundit, 3 kompani të mëdha, 2 në fushën e teknologjisë së lartë dhe tjetra në fushën e industrisë të prodhimit ët makinerive të çimentos janë seriozisht duke punuar në Shqipëri. Kryeministri më siguroi se qeveria e tij do të inkurajojë korporatat kineze, biznesin kinez, do t’i mbështesë edhe financiarisht ato për të investuar në Shqipëri, për të zgjeruar aktivitetin e tyre në Shqipëri. Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës tregoi gatishmëri të plotë për të mbështetur financiarisht në këtë periudhë krize globale Shqipërinë, si në projekte të mëdha infrastrukturore ashtu dhe në fushën e teknologjisë së lartë të informacionit.”

Në këtë linjë kryeministri tha se vetëm në dhjetor-janar 2008-2009 janë nënshkruar 3.5 milion euro kontrata për energjinë. Vendi theksoi kryeministri ofron potenciale të mëdha minerare në krom, bakër, nikel e të tjerë. Kryeministri Ven Zhiabao, vlerësoi marrëdhëniet miqësore tradicionale mes dy vendeve duke cilësuar vizitën e kryeministrit Berisha si shumë të rëndësishme. Në takim Zhiabao bëri të ditur se Kina do t’i japë Shqipërisë një grand prej 10 milion jenësh. Marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve u vlerësuan në të njëjtën frymë. Në këtë funksion palët ranë dakord të organizojnë veprimtari kulturore për të kremtuar 60 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Kryeministri Zhiabao premtoi gjithashtu se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë./tvklan.al