“Skenar edhe me sekuestrimin e kateve pa leje”

Nga Postriba në Shkodër ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore për kryengritjen e vitit 1946, Sali Berisha e cilësoi paketën e masave anti-krizë të qeverisë si metodë të Kryeministrit Rama për të vjedhur në mënyrë cinike shqiptarët.

“Qeveria e tij tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe të pamëshirë ndaj shqiptarëve. Ai paraqiti një paketë ndihmëse prej 50 milionë eurosh, ndërkohë që ka fituar 400 milionë euro nga rritja e çmimeve. Ai vendos më shumë për luksin e tij, vendos më shumë, shumë më tepër, për klientelën e tij”.

Me të njëjtën gjuhë, kryeministrit iu drejtua edhe kur foli për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për të gjithë ata abonentë që tejkalojnë 800 kilovat për orë.

“Do të thotë se rritet 4.4 herë. Po kush goditet me këtë? Goditet shtresa e mesme, goditen mjekët, inxhinierët, biznesi i vogël. Këta nuk e përballojnë dot më jetën. Këta detyrohen të largohen.”

Pas aksionit të qeverisë për konfiskimin e kateve të ndërtuara pa leje tha se fshihet një tjetër skenar i Kryeministrit Rama në favor të baronëve të krimit e drogës.

“Njeriu që kontrollon gjithçka thotë në një pikë të vendimit “ai që do ti blejë katet shtesë, le t’i blejë”. Kjo është licencë për të gjithë trafikantët e drogës që ti blejnë katet shtesë pasi të ndërtohen.”

Nga Prrenjasi ku vijoi turin e tij të takimeve “Shqipëria në rrezik”, Berisha foli për domosdoshmërinë e një ndërhyrje urgjente për përballimin e krizës së çmimeve.

“Kjo kërkon vendosjen e minimumit jetik dhe nuk duhet të ketë shqiptar që të marrë më pak se minimumit jetik”.

Me ardhjen në pushtet të demokratëve ai premtoi se rritja e pagave do të jetë prioritet.

“Do të kalojmë një rrogë minimale 420 mijë Lekë. Rritja e pagave do të jetë përparësi absolute”.

Për të nxjerrë Shqipërinë nga situata aktuale, Berisha tha se Partia Demokratike do të ketë një program të detajuar që do të bazohet në propozimet e ekspertëve, grupeve të interesit dhe konsultimet me qytetarët.

Tv Klan