Në ndryshim nga opozita, mazhoranca e djathtë duket e vendosur për të vazhduar me reformat. Kryeministri Berisha pavarësisht deklaratave te kryesocialistit Rama, se nuk do t’i bashkoj votat me të djathtët për reformën në drejtësi ka kërkuar bashkëpunim për këtë reformë të rëndësishme, duke i kujtuar edhe paktin e miratuar nga parlamenti muaj më parë.

Sali Berisha: “Reformat do të vazhdojnë në sistemin e drejtësisë, parlamenti ka votuar një pakt për drejtësinë. Ne i qëndrojmë dhe ne do vazhdojmë do të vazhdojmë reformën. Unë e ftoj opozitën në interesin më të mirë të vendit dhe të gjitha forcat politike pa përjashtim, t’i përmbahet paktit të votuar në parlament, sikundër e garantoj që ne shkojmë me këto ligje të vendosur për konsensusin më të gjerë të mundshëm.”

Duke falënderuar deputetet e grupit të tij parlamentar për qëndrimin mbështetës ndaj projektbuxhetit në fjalimet e tyre në parlament, kryeministri ka deklaruar se kjo mazhorancë ka si prioritet reformat jetike për vend, te cilat do të bëjnë te mundur rritjen ekonomike, duke shmangur dhe efektet e krizës financiare.

Sali Berisha: “Ekonomia shqiptare vazhdon rritjen dhe janë të gjithë tregues edhe këtë 3 mujor e mbyll me rritje dyshifrore, ky përbën një avantazh të madh, por përbën edhe një detyrim shumë të madh që të përpiqemi ta ruajmë në shkallën më të madhe të mundshme gjatë vitit që vjen.”

Berisha ka nënvizuar si tepër të rëndësishëm faktin se kodi zgjedhor i miratuar me një shumicë të konsiderueshme votash, u miratua 8 muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve, çka do t’i hap rrugë sipas tij punës për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhor në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë i pakontestueshëm./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka