Në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, Presidentja e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar dhe homologu shqiptar, Bajram Begaj kanë zhvilluar një konferencë për mediat. Teksa ka cilësuar objektivin e Shqipërisë së 2030-ës për anëtarësim në BE, Presidenti Begaj ka thënë se vendi ynë është i vlerësuar nga vendet e Bashkimit Europian.

Më tej, Begaj ka thënë se kjo nuk mjafton teksa ka përmendur bllokimin nga ana e Greqisë për Konferencën Ndërqeveritare teksa ka shtuar se nuk duhet të zhgënjehemi nga vendime të tilla, por të punojmë fort për të arritur objektivin madhor drejt anëtarësimit në BE.

Pyetje: Shqipëria do të jetë në 2030 e gatshme për të hyrë në BE, por a do të jetë BE-ja e gatshme për të pranuar Shqipërinë?

Natasa Pirc Musar: Zgjidhjet evropiane janë shumë të rëndësishme. Më 9 Qershor do të votojmë dhe në Slloveni. Ne kemi një gabim të vogël sepse kemi numër të vogël të votuesve. Të gjithë nga BE duhet të jemi të vetëdijshëm se Parlamenti Evropian është institucioni i vetëm i zgjedhur drejtpërdrejtë nga BE-ja dhe aty dëgjohet fjala jonë. Besoj se do të dimë të bëjmë ndarjen mes të mirës dhe të keqes. Varet shumë nga anëtarët e BE-së se a do ta kryejmë dhe ne detyrën tonë dhe me dyer të hapura t’i pranojmë shtetet e tjera. Më së shumti punë kanë shtetet kandidate. Ky nuk është proces i lehtë. Shtetet nuk duhet të rrinë në 2 karrige, kjo nuk vlen për Shqipërinë. Ne shpesh e shohim se edhe vullneti për të hyrë në BE zvogëlohet në Maqedoninë Veriore. Besoj se të gjithë do të jemi të vetëdijshëm për ta kryer këtë proces, detyrat duhet të kryhen nga të dyja anët.

Bajram Begaj: Për Shqipërinë, objektivi 2030 për t’u futur në BE sipas një deklarate të bërë, është e rëndësishme, por nuk është aq e rëndësishme data se sa është e rëndësishme ëndrra. Ju e dini që Shqipëria ka kaluar me sukses kapitujt e parë të negocimit dhe prisnim për të hapur negociata për klausterin e parë. Kjo është e lidhur me vendet e BE-së dhe mendoj që për Shqipërinë është jetike anëtarësimi në BE dhe për BE-në, integrimi i Ballkanit Perëndimor apo procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE duhet të jetë strategjik. Detyra jonë është të bëjmë mirë ato detyra për të cilat duhet të arrihet ky objektiv që janë reformat. Duhet të kemi edhe parimet e fqinjësisë së mirë, edhe parimet që kanë të bëjnë me integrimin rajonal dhe atë në BE. Ky është një objektiv që mund të arrihet në 2030, edhe më shpejt. Shqipëria është e vlerësuar nga vendet e BE-së, por nuk mjafton se siç e patë u bllokuam për hapjen e Konferencës Ndërqeveritare. Mendoj se nuk duhet të zhgënjehemi nga vendime të tilla, por të punojmë më fort për të arritur objektivin tonë madhor që është i rëndësishëm dhe jetik për ne.


/tvklan.al