Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Bllokohen financimet e pjesës dërrmuese të institucioneve buxhetore dhe kompanive shtetërore, që rezultojnë debitore ndaj KESH-it. Ministria e Financave ka bllokuar financimet buxhetore deri dhe tek grantet dhe subvencionet.

“Nga ana jonë janë përpiluar që të gjitha listat analitike, debitore për çdo ministri dhe i janë dërguar Ministrisë së Financave, e cila me një urdhër të veçantë u është drejtuar gjithë degëve të thesareve në rrethe, për bllokimin e fondeve deri në likuidimin e plotë të detyrimeve të prapambetura”.

Punonjësit buxhetorë po i paguajnë borxhet individuale ndaj KESH-it, me pagat e tyre.

“Deri tani të gjitha ministritë janë përgjigjur me dërgimin, ose gjithë institucionet janë përgjigjur me dërgimin e të gjitha listave dhe ne po bashkëpunojmë me këto institucione, për evidentimin e borxhit për çdo punonjës që ata kanë dhe njëkohësisht po kërkojmë pranë tyre që gjithë kjo detyrim i prapambetur të mbahet nga pagat e këtyre punonjësve”.

Borxhi i akumuluar për më shumë se 10 vjetësh, që organet shtetërore kanë ndaj KESH-it, arrijnë deri në 3.6 miliardë lekë të reja.

Në krye të listës së debitorëve qëndrojnë ndërmarrjet e ujësjellësve në tëgjithë vendin, si dhe komunat dhe bashkitë. Ministria e Industrisë dhe ajo e Ekonomisë janë të vetmet që kanë shlyer borxhet./tvklan.al